Bota

SHBA me akuza të reja për themeluesin e WikiLeaks

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, është paditur nga SHBA-të me 17 akuza të reja federale, duke përfshirë shkeljen e Aktit të Spiunazhit dhe komplotin për të zbuluar informacione të ndjeshme dhe të klasifikuara për publikun, transmeton Anadolu Agency (AA).

Akuzat e reja thonë se Assange pretendohet se ka botuar dokumente të klasifikuara që përmbanin emra të pamerituar të atyre që u siguruan informacion forcave të SHBA-ve në Irak dhe Afganistan.

“Këto burime njerëzore përfshijnë afganë dhe irakianë lokalë, gazetarë, udhëheqës fetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe disidentë politikë nga regjimet shtypëse”, tha Departmenti i Drejtësisë në një deklaratë.

Akuzat po ashtu pretendojnë se Assange ka punuar me ish-analisten e inteligjencës amerikane, Chelsea Manning, e cila aktualisht është në burg për shkak se ka refuzuar të dëshmojë para një jurie të madhe.

Manning u shpall fajtore në vitin 2013 për rrjedhjen e dokumenteve.

Departamenti i Drejtësisë tha se Assange dhe Manning dyshohet të jenë të komplotuar me njëri-tjetrin, me Manning e cila ka siguruar dhe dorëzuar informacion te Assange, që është përdor në “dëm të SHBA-ve dhe në favor të një kombi të huaj”.

Sipas Departamentit amerikan, informacionet që Manning i dorëzoi te Assange përfshinin 90 mijë raporte të aktiviteteve të lidhura me luftën në Afganistan, 400 mijë raporte të aktiviteteve të luftës në Irak dhe 800 të dhëna të analizës së vlerësimit të të burgosurve në Guantanamo Bay.

Akuzat e reja mund të kenë një ndikim serioz në liritë e shtypit për shkak të vështirësive për të veçuar WikiLeaks nga një gazetë tradicionale. Asnjë gazetar nuk është akuzuar nën Aktin e Spiunazhit, i cili për herë të parë u krijua në vitin 1917 kur SHBA po hynte në Luftën e Parë Botërore.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, kurrë nuk e akuzoi Assange-n nën Aktin e Spiunazhit nga frika se do të prishte më shumë forma tradicionale të gazetarisë.

Assange aktualisht është në burg në Mbretërinë e Bashkuar, duke vuajtur një dënim prej 50 javësh për mospërmbushjen e kushteteve të lirimit me kusht, ndërsa përballet me akuza për sulme seksuale në Suedi.

SHBA ka kërkuar që ai të ekstradohet në Washington, gjë për të cilën Assange është zotuar të luftojë./AA

Etiketa