SHBA përjashton mbështetjen për operacionin e planifikuar të Turqisë në Siri

SHBA ka përjashtuar çdo ndihmë apo përfshirje në operacionin e planifikuar të Turqisë në lindje të lumit Eufrat në veri së Sirisë.

Përmes një kumtese, nga Shtëpia e Bardhë thonë se Turqia së shpejti do të nisë “operacionin e saj të planifikuar gjatë” në veri të Sirisë.

“Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara nuk do të mbështesin apo përfshihen në operacion, dhe forcat e Shteteve të Bashkuara, pasi kanë mposhtur ‘Kalifatin’ territorial të DEASH-it, nuk do të jenë më në zonën e menjëhershme”, thuhet në kumtesë.

Kjo ndodhi disa orë pas bisedës telefonike mes presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, gjatë të cilit u planifikua një takim në nëntor, bazuar në burime brenda presidencës së Turqisë.

Erdoğan dhe Trump kanë shkëmbyer pikëpamjet në çështjet dypalëshe si dhe zonën e sigurt të planifikuar në lindje të lumit Eufrat, thanë nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.

Turqia qëmoti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, duke u zotuar për veprim ushtarak për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje.

Që nga viti 2016, operacionet e Turqisë “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit” në Sirinë veriperëndimore kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK dhe DEASH, duke e bërë të mundur kthimin në shtëpi të sirianëve që kishin ikur nga dhuna.

Mirëpo Turqia ka theksuar kërcënimin e vazhdueshëm nga terroristët e YPG/PKK-së, degës siriane të PKK-së, grup i cili ka vrarë më shumë se 40.000 njerëz në fushatën e saj terroriste 30-vjeçare kundër Turqisë.

Në kumtesën e SHBA-ve thuhet se “Turqia tani do të jetë përgjegjëse për të gjithë luftëtarët e DEASH-it në zonë të kapur gjatë dy viteve të kaluara pas mposhtjes së ‘Kalifatit’ territorial nga ana e SHBA-ve”.

SHBA gjithashtu ka akuzuar Francën, Gjermaninë dhe shtetet tjera evropiane se nuk kanë kthyer prapa luftëtarët e kapur të DEASH-it.

“SHBA nuk do t’i mbajnë ata për një periudhë që mund të zgjasë shumë vite dhe të ketë kosto të madhe për taksapaguesit amerikanë”, thuhet në kumtesë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne