Bota

SHBA pranon se ka vrarë mbi 100 civilë në Mosul vetëm në muajin mars

Një sulm amerikan që synonte terroristët e Daeshit në një ndërtesë në Mosul në mars, vrau të paktën 105 civilë kur shpërthimi shkaktoi plasjen e armëve të Daeshit, tha të enjten një gjeneral i SHBA-së.

“Shpërthimi dytësor shkaktoi një shkatërrim të shpejtë të ndërtesës që vrau dy [luftëtarë të Daeshit] me snajper, 101 civilë të strehuar në katet e fundit të ndërtesës dhe katër civilë në ndërtesën fqinje në perëndim”, tha gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Matt Isler për incidentin e 17 marsit.

Isler tha se Shtetet e Bashkuara dhe forcat e afërta të Irakut nuk e dinin se kishte civilë në ndërtesë, apo se ajo ishte manipuluar me eksplozivë.

Ai shtoi se brenda ndërtesës u vranë 101 civilë, katër civilë u vranë në afërsi të saj dhe 36 civilë ende nuk ishin llogaritur.

Zyrtarët lokalë dhe dëshmitarët okularë kanë thënë se deri në 240 persona mund të kenë vdekur në sulmin e mësipërm.

Hetimi zbuloi se bomba e SHBA-së shkaktoi shpërthime sekondare nga pajisjet e instaluara në mënyrë klandestine atje nga Daesh. Dhe ushtria thotë se shpërthimet dytësore shkaktuan rrënimin e ndërtesës.

Ky ka të ngjarë të jetë incidenti më i madh i vdekjeve civile, që kur fushata ajrore e SHBA-së kundër Daeshit filloi në vitin 2014.

Vdekjet përfaqësojnë rreth një të katërtën e të gjitha vdekjeve civile që kur filloi fushata ajrore.

Para këtij hetimi, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja kundër Daeshit tha se të paktën 352 civilë janë vrarë në sulme të kryera në Irak dhe Siri që nga viti 2014. Ky vlerësim është shumë më i ulët se ato të siguruara nga grupet e jashtme. / © Gazeta Impakt

OPINIONE