ShBA – Presidenti Trump do të shpallë “emergjencë kombëtare”

Sarah Sanders ka bërë një deklaratë me shkrim lidhur me fatin e qeverisë federale, do të mbetet e hapur apo jo.

Sanders tha se Trump do ta nënshkruante p/ligjin e buxhetit dhe se nuk do të ketë mbyllje tjetër të qeverisë federale.

“Siç është shprehur edhe më parë, Presidenti Trump do ta firmosë p/ligjin për buxhetin e qeverisë, por ai do të marrë masat e nevojshme presidenciale, duke përfshirë emergjencën kombëtare, për t’u siguruar që ne e kemi garantuar sigurinë kombëtare dhe kemi ndaluar krizën humanitare në kufirin tonë”,- sqaron zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në komunikatën e saj me shkrim.

Sanders gjithashtu thekson se Trump do ta përmbushë premtimin e tij lidhur me “murin në kufirin meksikan” dhe se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur kufijtë e vendit.

Presidenti Trump, i cili nuk ka arritur të marrë (nga Kongresi) miratimin për buxhetin që ai donte për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën, pret që ta sigurojë financimin e murit në fjalë duke shpallur “emergjencë kombëtare për sigurinë kufitare”.

Mirëpo kjo lëvizje e Trumpit për shpalljen e “emergjencës kombëtare” ka ngjallur polemika në mediat amerikane. Disa analistë thonë se shpallja e një emergjence për një çështje të diskutueshme është problematike në aspektin kushtetues.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump kishte kërkuar ndërtimin e një muri në kufirin ShBA-Meksikë, që kërkon një buxhet prej 5,7 miliardë dollarësh. Por demokratët, që kanë shumicën në Kongres, nuk e lejuan një gjë të tillë dhe si pasojë qeveria federale e ShBA-së qëndroi e mbyllur për 35 ditë, midis 22 dhjetorit 2018 dhe 25 janar 2019.

Më vonë, p/ligji për shpenzimet trijavore kaloi nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati; u nënshkrua nga Trump dhe hyri në fuqi duke i dhënë fund kështu edhe periudhës më të gjatë të mbylljes në historinë e qeverisë federale të ShBA.

Trump njoftoi se në qoftë se Kongresi do të dështonte në arritjen e një marrëveshjeje të drejtë për sigurinë e kufirit, qeveria do të mbyllej sërish më 15 shkurt, ose ai do të shpallte “një emergjencë kombëtare” duke përdorur kompetencat e tij presidenciale./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne