SHBA, projekt-ligj për të mbrojtur ujgurët muslimanë në Kinë

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve mbrëmë vonë miratoi një projekt-ligj që kërkon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut kundër pakicës muslimane ujgure.

Akti për Politikat e të Drejtave të Njeriut të Ujgurëve kaloi me lehtësi në Dhomën e Përfaqësuesve me 407 vota “pro” dhe 1 “kundër”, me votën e vetme që vinte nga Thomas Massie, kongresmeni republikan nga shteti i Kentucky-t.

Projekt-ligji, një version më i fortë i atij të miratuar nga Senati në muajin shtator, synon “të dënojë shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut të muslimanëve etnikë turq në rajonin perëndimor të Xinjiangut” dhe bën thirrje “për t’i dhënë fund burgosjeve arbitrare, torturës dhe ngacmimit të këtij komuniteti”.

Për të kaluar në ligj, projekt-ligji do të duhej të pajtohej me versionin e Senatit dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Rajoni Xinjiang i Kinës është atdheu i rreth 13 milionë ujgurëve. Grupi musliman turk, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiangut, ka akuzuar prej kohësh autoritetet e Kinës për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.

Siç sugjeroi Trump kohët e fundit, projekt-ligji mund të dëmtojnë perspektivat për arritjen e një marrëveshjeje të madhe tregtare midis dy vendeve nga mesi i dhjetorit për tarifat e reja amerikane për mallrat kineze, përfshirë elektronikën.

Sipas deklaratave të fundit nga zyrtarët kinezë dhe amerikanë, lufta më e madhe tregtare e shekullit është larg përfundimit dhe mund të zgjasë edhe pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve në nëntorin e ardhshëm.

Edhe pse autoritetet kineze nuk janë kundërpërgjigjur në mënyrë të konsiderueshme deri më tani, legjislacioni amerikan për Hong Kongun dhe Xinjiangun mund të forcojë retorikën kineze të ndërhyrjes amerikane në punët e saj të brendshme dhe të forcojë ndjenjat anti-amerikane në mesin e shtetasve kinezë.

Në muajin nëntor, Trump nënshkroi një ligj që shprehte mbështetje për protestuesit e Hong Kongut dhe kërkonte rishikime vjetore të statusit të veçantë tregtar të Hong Kongut dhe sanksione kundër çdo zyrtari përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne