Bota

ShBA – Senati kërkon hetim për armët e amerikane në Libi

Bob Menendez, anëtari më i vjetër demokrat në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i shkroi një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe kërkon hetimin e armëve amerikane në Libi.

“Nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë jam i bindur që edhe ju e dini se sipas ligjit do t’ju duhet të ndaloni shitjen e të gjitha llojeve të armëve në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA)”, thotë Menendez në letrën e tij drejtuar Pompeo.

Sipas senatorit Bob Menendez, shfaqja në Libi e armëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) u kanë shitur Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), është një shkelje flagrante edhe e ligjit përkatës amerikan, por edhe e embargos së armëve që OKB-ja i ka vendosur Libisë.

Menendez thekson në letrën e tij gjithashtu se është një domosdoshmëri e pashmangshme hetimi dhe zbardhja e çështjes nga administrata amerikane, ndërsa shton se Komiteti do t’i ndërmarrë nga ana e tij nismat e nevojshme.

Nga ana tjetër ShBA-ja po e heton rastin lidhur me armët prodhim amerikan që janë kapur në duart e forcave besnike të Halife Hafterit në qytetin Giryan (Gharyan), pas marrjes së këtij qyteti nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar në Libi, e cila gëzon njohje ndërkombëtare.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit kishte thënë në kushte anonimati për gazetën arabe me seli në Londër, “Al-Sharq Al-Awsat” se ata (amerikanët) po e hetonin çështjen e armëve amerikane që janë gjetur në Libi.

“Ne e marrim seriozisht çështjen e keqpërdorimit të pjesëve të mbrojtjes që janë prodhuar në ShBA. Ne jemi të vetëdijshëm për lajmet që kanë dalë në këtë drejtim dhe po përpiqemi të mbledhim informata shtesë”,- kishte shtuar ai.

Administrata e Donald Trump javën e kaluar kishte deklaruar se do ta anashkalonte Kongresin dhe do të zbatonte 22 marrëveshje për t’u shitur Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe armatim me vlerë rreth 8 miliardë dollarë./TRT

OPINIONE