SHBA – Senatorët demokratë kërkojnë raportin e inteligjencës për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Një grup senatorësh demokratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqitën të martën një projektrezolutë që i kërkon drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats, të paraqesë një raport të paklasifikuar për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
27.02.2019 ~ 27.02.2019
SHBA – Senatorët demokratë kërkojnë raportin e inteligjencës për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Brenda raportit duhet të jenë “identitetet e autorëve dhe organizatorëve të krimit, personave të përfshirë në një mënyrë apo tjetrën në këtë krim, si dhe atyre që kanë dhënë urdhrin ose kanë përgjegjësi për vdekjen e Jamal Khashoggit”, thanë senatorët në p/rezolutë.

Nëse do të miratohet, drafti i prezantuar nga senatorët Ron Wyden, Martin Heinrich, Jack Reed, Kamala Harris dhe Chris Coons do të kërkojë nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats, të dorëzojë raportin brenda 30 ditëve nga miratimi i aktit.

“Kjo p/rezolutë do të thotë se administrata e Presidentit Donald Trump s’do të shpëtojë paq nga mbulimi i të vërtetave në lidhje me Jamal Khashoggin. Qeveria e Arabisë Saudite vrau paturpësisht një autor të gazetës ‘The Washington Post’ dhe kjo administratë (Trump) refuzon t’i tregojë popullit amerikan se kush e dha urdhrin e këtij krimi”, u shpreh para gazetarëve senatori i Oregonit, Ron Wyden.

Më datë 2 tetor 2018, Khashoggi u vra brutalisht brenda Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, pak pasi hyri në objektin diplomatik për disa procedura martesore. Riadi fillimisht mohoi ndonjë rol të tijin në vrasjen e gazetarit saudit, por më pas e pohoi krimin dhe filloi të bëjë përpjekje për të fajësuar disa agjentë për një operacion arbitrar.

Në nëntor 2018, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) raportoi “me besim të lartë” se urdhri i vrasjes së Khashoggit ishte lëshuar nga princi trashëgimtar saudit, Mohammed bin Salman, sipas të përditshmes “The Washington Post”.

Megjithatë presidenti amerikan dhe administrata e tij vazhdojnë t’u shmangen akuzave ndaj trashëgimtarit të fronit saudit.

Vetë Trumpi e ka vlerësuar si “parandjenjë” konkluzionin e CIA-s për vrasjen e gazetarit Khashoggi.

“Provat e grumbulluara gjatë misionit tim në Turqi tregojnë se Khashoggi është viktimë e një krimi të pamëshirshëm dhe të planifikuar më parë nga autoritete shtetërore të Arabisë Saudite”, qe shprehur raportuesja speciale e OKB-së për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, pas vizitës që pati realizuar në Turqi nga data 28 janar deri më 3 shkurt të këtij viti, në kuadër të hetimit ndërkombëtar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne