ShBA-të do të shqyrtojnë ekstradimin e Gulenit për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara

SHBA-të thonë se do të vendosin mbi një ekstradim të mundshëm në Turqi të udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, lidhur me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara në vitin 2016, atëherë kur Turqia do të dorëzojë dokumentet përkatëse.

“Do të shqyrtojmë secilin material të cilin do të na e dorëzojë qeveria e Turqisë dhe në këtë drejtim do të marrim vendim për ekstradimin e tij në bazë të fakteve dhe ligjeve përkatëse që kanë SHBA-të”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Nicole Navas Oxman, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

Kujtojmë se ambasadori rus në Ankara, Andrey Karlov, u vra në një atentat më 19 dhjetor të vitit 2016 në Qendrën e Arteve Bashkëkohore në Ankara. Sulmuesi 22-vjeçar, Mevlut Mert Altintas, i cili pas atentatit është ngjitur në katin e dytë të godinës, u qëllua nga forcat speciale të policisë turke pas rreth 15 minutash.

Vrasja e tij ndodhi në kohën kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë filluan të përmirësohen, pas një acarimi nga shkaku i rrëzimit të avionit luftarak rus në hapësirën ajrore turke.

Një hetim ka zbuluar se atentatori ka pasur lidhje me FETO-n, e cila u mundua që vrasjes t’i veshë petkun ekstremist.

Prokurorët turq thanë se Altintas ka njohur personalisht Gülenin.

Organizata terroriste FETO në vitin 1970 të besuarit e saj filloi t’i infiltrojë në institucionet e sigurisë në Turqi, ndërsa në vitet e 80-ta në mënyrë të konsiderueshme forcoi piramidat e saj paralele në këto institucione.

Më 15 korrik të vitit 2016, organizata terroriste FETO kreu tentim të dështuar për grusht shteti, me qëllim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi.

Të paktën 249 persona humbën jetën gjatë tentimit për grusht shtet, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne