SHBA thirrje Indisë për heqjen e kufizimeve në Kashmir

SHBA ka kërkuar nga India që të kalojë në veprim për heqjen e kufizimeve në Xhamu Kashmir.

Sipas lajmit të “Bloomberg”, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, përgjegjëse për çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Alice Wells në një deklaratë për gazetarët në New York ku zhvillohen bisedimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se India duhet të kalojë në veprim për heqjen e kufizimeve gjithëpërfshirëse dhe të masave të sigurisë që kufizojnë jetën e përditshme në Xhamu Kashmir.

Wells shprehu shqetësimet e thella të SHBA-ve lidhur me arrestimet në Xhamu Kashmir. “Shpresojmë që të shohim kalimin në veprim në mënyrë të shpejtë për heqjen e kufizimeve dhe lirimin e të arrestuarve”, shtoi ajo.

Më tej ajo tha se presidenti amerikan Donald Trump është i gatshëm të ndërmjetësojë nëse dëshirojnë të dyja palët (India dhe Pakistani).

Trump i cili u takua në New York me kryeministrin indian Narendra Modi dhe kryeministrin pakistanez Imran Khan, ka deklaruar më parë se u ka propozuar pajtim ose ndërmjetësim Pakistanit dhe Indisë në çështjen e Kashmirit.

Heqja e statusit të veçantë të Xhamu dhe Kashmirit

India më 5 gusht duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu Kashmirin në territorin e dy njësive.

Pas vendimit forcat indiane të sigurisë në Xhamu dhe Kashmir intensifikuan operacionet e rendit dhe presionet mbi popullatën, ndërprenë linjat e komunikimit si dhe arrestuan drejtuesit dhe anëtarët e të gjitha partive lokale në rajon.

Qeveria e pakistaneze në një deklaratë më 10 shtator, njoftoi se ishte informuar se që nga 5 gushti në Xhamu Kashmir janë arrestuar në shkelje me ligjin mbi 6 mijë politikanë, aktivistë dhe studentë.

Që nga viti 1947, kur India fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, Xhamu dhe Kashmiri ishte në një pozitë të privilegjuar të miratonte ligjet e veta. Ky status i veçantë përfshinte edhe ligjin e shtetësisë, i cili nuk lejonte që të huajt të vendoseshin dhe të përfitonin pronë në rajon./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne