SHBA vret 106 civilë në sulmet ajrore në Siri

Të paktën 106 civilë, përfshirë 42 fëmijë, janë vranë në një seri sulmesh ajrore të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në një qytet të marrë nga Daeshi në Siri, njoftoi të premten një monitorues.

Raporti erdhi vetëm disa orë pasi Kombet e Bashkuara akuzuan aleancën ushtarake për mos mbrojtjen e civilëve në vendin e shkatërruar nga lufta.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet e fundit kishin në shënjestër qytetin e al-Majadinit në periferinë lindore të krahinës lindore të Deir al-Zourit.

“Pati dy raunde sulmesh ajrore: njëri në mbrëmjen e së enjtes dhe tjetri pas mesnatës, duke synuar ndërtesat që strehonin familjet e luftëtarëve të Daeshit”, tha kreu i Observatorit, Rami Abdel-Rahman për DPA.

Ai shtoi se shumica e të vrarëve ishin shtetas marokenë dhe sirianë, të cilët kishin ikur në Majadin nga Raka, i ashtuquajturi kryeqyteti i Daeshit në Sirinë veri-lindore.

Fillimisht, mbikëqyrësi tha se të paktën 35 civilë u vranë në sulmet në Majadin.

Bombardimi i fundit i koalicionit synonte ndërtesën e komunës së qytetit, duke e rrënuar atë, sipas Observatorit me bazë në Britani, i cili mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Sirisë.

Nuk pati komente nga aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja rreth raportit.

Observatori këtë javë raportoi se ndërmjet 23 prillit dhe 23 majit të këtij viti, sulmet e koalicionit kishin vrarë gjithsej 225 civilë në Siri.

Më herët të premten, OKB tha se aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk po kujdeset për parandalimin e vdekjeve civile në Siri, ndërsa lufton terroristët e Daeshit atje.

“Të njëjtët civilë, të cilët po vuajnë granatime pa dallim dhe ekzekutime në masë nga ISIS [Daesh], po bien gjithashtu viktimë e sulmeve ajrore përshkallëzuese”, tha Shefi i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Zeid Ra’ad Al Hussein, duke treguar për numrin në rritje të vdekjeve.

Numri i viktimave civile ka qenë veçanërisht i lartë në Deir al-Zour.

Zeid gjithashtu përmendi një sulm ajror që vrau 23 punëtorë të fermave, duke përfshirë 17 gra, më 14 maj.

Të nesërmen, sulmet ajrore në qytetin Albo Kamal të kontrolluar nga Daeshi, afër kufirit siriano-irakien, vranë 59 civilë.

“Civilët duhet të mbrohen gjithmonë, qofshin ata në zonat e kontrolluara nga Daeshi apo nga ndonjë palë tjetër”, tha Zeid në Gjenevë.

Përveç kësaj, militantët e Daeshit kanë vrarë njerëz në këto zona, me dyshimin se ata kanë siguruar koordinatat e synuara për sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, tha Zeid.

Fushata ajrore e koalicionit të drejtuar nga SHBA-ja kundër Daeshit në Siri filloi në shtator 2014. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne