Shefja famëkeqe Kesi dhe call-center në Shqipëri

“Çfarë më duhet të punoj gazetar me pak lek, kur në call-center marr shumë më tepër?” – Këtë shprehje e kam dëgjuar shpesh fatkeqësisht vitet e fundit nga të diplomuar apo studentë dhe jo vetëm ata të gazetarisë. ‘Call center’-at janë mbajtur si shpresa për punësim në vend dhe për hir të së vertetës shumë të rinj u janë bërë krah familjarëve duke u punësuar në këto kompani.

Ato kanë qenë mundësia më e lehtë për të gjetur një vend pune në kohë krize dhe në mungesë totale strategjie për dhënien e të drejtave të studimit në raport me vendet e punës dhe llojet e profesioneve në Shqipëri.

Por se çfarë ndodh nëpër ‘call-center’ askujt nuk i ka interesuar.
U desh rasti i një shefeje “përbindëshe” si Kesida Kopaçi për tu ndërgjegjësuar sado pak punën në këto kompani.

Çështja është e thjeshtë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një Kesi që ulëret, por bëhet fjalë për një mungesë kontrolli ndaj këtyre bizneseve, kushteve të punës, pagesave, etj.

Shumë prej jush që lexoni këtë shkrim, në mos keni punuar vetë në call-center keni të afërm apo miq që u kanë rrëfyer se u vendoset “laku në fyt” për të bërë sa më shumë kontrata me çdo kusht…

Por, kush i mbron këta të rinj e të reja që punojnë nën trysni apo nën kërcënim për vendin e punës që në moshën 20 vjeçare?

Unë punoj prej vitesh në media dhe nuk di asnjë rast të raportuar për kontrolle apo sanksione ndaj këtyre bizneneseve. Po aq, di me dhjetëra raste kur ministra apo funksionarë të lartë shtetërore na i kanë reklamuar “call-center” si shpëtimtarë të punësimit. Jo vetëm ato, por edhe fasoneritë, që janë një tjetër skenë e errët e skllavërisë në punë. Paga të vogla, mospagesa, mungesë kontratash. Shkurt punë në mizëri!

Sigurisht për shtetin është gjë e mirë kur bizneset paguajnë taksat dhe kaq, ndërsa kushtet e punëtorëve pakkujt i interesojnë në këtë vend. Mbase askujt.

A është rasti i Kesit, një shembull i keqtrajtimit në punë? Sigurisht që po. Përpos arrogancës personale, ajo është një supervizore që nxitet të sillet në mënyrë histerike me punonjësit. Është pak por e sigurt që jo vetëm në call-center IDS (ku është bërë denoncimi) ka raste të tilla. Dhe po aq e sigurt është se shumë të rinj sorollaten me muaj për të marrë pagesat e prapambetura. Kush i trajton ankesat e tyre dhe pse institucionet përkatëse, siç është Shërbimi Kombëtar i Punësimit apo Drejtoria e Tatim-Taksave nuk ndërhyjnë. A sigurohen punonjësit në ‘call-center’ për pagën që marrin? A zbatohen kontratat e punës?

…e pra, punë dhe dinjitet dhe jo punë e dajak apo punë dhe parti; është çështja që shtrohet jo vetëm për diskutim por për zgjidhje nga ata që qeverisin vendin me votën dhe taksat tona!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress