Shqiperia

Shell gjen naftë në Berat, zbulimi entusiazmon kompaninë përfituese

Testimet e para të Shell Upstream Albania në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.

“Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve)”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin. “Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.”

Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive nafte në ditë. Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese. Zbulimi i Shqipragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues.

Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre./respublica

OPINIONE