Bota

Shëndeti i grevistëve palestinezë përkeqësohet në mënyrë kritike

Gjendja shëndetësore e liderit palestinez Marwan Barghouti është përkeqësuar në mënyrë kritike gjatë javës së kaluar, pasi ai u bashkua me një grevë urie me mbi njëmijë të burgosur të tjerë palestinezë në burgjet izraelite, thotë një komitet palestinez.

Shefi i Komitetit palestinez të të burgosurve, Issa Qaraqe lajmëroi kështu të hënën, duke shtuar se Barghouti, 57 vjeç, po vuante nga një rënie e rëndë e tensionit të gjakut dhe e nivelit të sheqerit në gjak.

Që nga 17 prilli, mbi 1.500 të burgosur palestinezë nga të gjitha spektret politike kanë hyrë në një grevë urie masive, të nisur fillimisht nga Barghouti, në shenjë proteste ndaj kushteve të burgjeve izraelite.

Regjimi izraelit e ka dënuar Barghoutin, një udhëheqës të lartë të Lëvizjes palestineze Fatah, me pesë dënime të përjetshme në burg për rolin e tij në Intifadën Palestineze. Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) e ka vendosur në izolim pas fillimit të grevës tetë ditë më parë.

Të mërkurën e kaluar, zëdhënësi i IPS, Assaf Librati njoftoi se Barghouti ishte transferuar nga burgu Hadarim në burgun e Kishonit, pranë Haifës.

IPS vazhdon t’i dënojë të burgosurit në grevë, duke i vendosur ata në izolim dhe duke u mohuar vizitat familjare dhe ligjore nga avokatët e tyre, qëkur greva filloi në ditën e të burgosurve palestinezë.

Më herët të hënën, dhjetëra familje dhe mbështetës të grevistëve të uritur marshuan nëpër rrugët e qytetit të pushtuar të Bregut Perëndimor të Ramallahut, për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj autoriteteve të IPS-së dhe për të shprehur solidaritetin e tyre me të burgosurit, duke lavdëruar grevën e tyre.

Dhjetëra të tjerë fluturuan me balona, ​​duke mbajtur fotografi të të burgosurve palestinezë, në afërsi të burgut Ofer në Bregun Perëndimor.

“Ky aktivitet u organizua pranë burgut Ofer të okupuar nga Izraeli për t’u dërguar një mesazh të burgosurve, duke u thënë atyre se populli ynë po i mbështet ata”, tha një nga organizatorët.

Burgjet izraelite mbajnë rreth 6,500 palestinezë, duke përfshirë 300 të mitur. Disa nga të burgosurit mbahen nën politikën e ndalimit administrativ të Tel Avivit, i cili mundëson burgim pa akuzë.

Të burgosurit palestinezë bëjnë rregullisht greva urie në shenjë proteste ndaj politikës administrative të burgimit dhe kushteve të ashpra të burgjeve. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA