Opinion

Shenjestrimi i Iranit, skenar i prodhuar për të justifikuar agresionin ushtarak

nga Dr Chandra Muzaffar.

Një pikë e nxehtë e rrezikshme është shfaqur për momentin në politikën botërore. Ekziston një frikë e përhapur se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të nisin një operacion ushtarak kundër Iranit në çdo moment. Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe disa bombardues B-52 janë dislokuar tashmë në rajon. Sabotimi i dyshimtë ndaj katër anijeve naftëmbajtëse, dy prej të cilave ishin saudite dhe sulmi ndaj një tubacioni të madh të naftës, lidhen me qarqe të caktuara por pa ndonjë dozë prove që mund të rëndojë mbi Teheranin. Nuk është e nevojshme të përsëriten skenarë të këtij lloji, pasi shpesh prodhohen për të justifikuar agresionin ushtarak.

Për më shumë se një vit, që kur kundërshtoi në mënyrë të njëanshme marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, SHBA-ja jo vetëm që ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Iranit, por ka detyruar edhe shtetet e tjera që tregtinë me Iranin ta zvogëlojnë në mënyrë drastike. Shënjestrimi i Iranit është një parodi e rëndë e drejtësisë për arsyen e thjeshtë se agjensia e inspektimit bërthamor të OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ka përsëritur herë pas here se Irani ka qenë në përputhje me marrëveshjen bërthamore. Prandaj nuk duhet të dënohet me sanksione të vjetra ose të reja. Ky është gjithashtu qëndrimi i miratuar nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes, përkatësisht Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania.

Por presidenti i SHBA-së Donald Trump është i vendosur të veprojë kundër Iranit, pjesërisht për shkak të ndikimit në rritje të qeverisë izraelite të udhëhequr nga Benyamin Netanjahu dhe nga një lobim në administratën e tij nga një segment lobues izraelit. Megjithëse Izraeli ka ushqyer një mosbesim të thellë ndaj udhëheqjes iraniane që nga Revolucioni Islamik i 1979-ës për shkak të angazhimit të provuar në të kaluaren për kauzën palestineze, vetëm në vitet e fundit ka filluar të ndiejë se një kombinim i tre faktorëve e bën Iranin dhe popullin e tij sfidë të vështirë për synimin e Izraelit në vendosjen e pushtetit të tij dominues mbi Azinë Perëndimore. Pasuria e Iranit me naftë dhe gaz është përforcuar edhe nga njohuritë dhe aftësitë shkencore. Këtu theksohet edhe përkushtimi me pasion për pavarësinë dhe sovranitetin e kombit që rrjedh nga përvoja e tij historike dhe lidhja me identitetin shpirtëror. Përveç kësaj, qeveria iraniane është një mbrojtëse e patundur e qeverisë siriane, e cila refuzon t’i japë Izraelit aneksimin e Lartësive Golan, në vetvete një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare. Irani është gjithashtu i lidhur me Hezbollahun që i ka rezistuar me sukses orvatjeve izraelite për të fituar kontroll mbi Libanin e vogël, ndaj të cilit përbën edhe kërcënim të sovranitetit.

Ka edhe ndoshta një arsye tjetër përse Izraeli dhe SHBA janë të vendosur për të shenjestruar Iranin në këtë pikë. Shumë afër, udhëheqësit e këtyre dy shteteve do të shpallin të ashtuquajturën “marrëveshjen e shekullit”, një përpjekje e mençur për të zgjidhur konfliktin e gjatë izraelito-palestinez. Për shkak se marrëveshja, nga e cila dihet shume pak, në dukje është shumë e padrejtë për popullin palestinez, palestinezët dhe shumica e popullsisë së Azisë Perëndimore pritet që ta kundërshtojnë atë plotësisht. Sipas burimeve të ndryshme, marrëveshja i dënon palestinezët me aparteid të përhershëm. Irani dhe aleatët e tij mund të pritet që të kryesojnë kundërshtuesit. Kjo shpjegon deri në një farë mase se pse Irani duhet që të ndalet menjëherë.

Në anen tjetër është ironike sesi Izraeli po tregon një armiqësi të tillë ndaj Iranit kur kushtetuta iraniane jo vetëm që i njeh hebrenjtë si minoritet, por gjithashtu i siguron komunitetit përfaqësim në legjislaturën e tij. Kjo është unike në Azinë Perëndimore. Dështimi i Izraelit për ta vlerësuar këtë është ndoshta dëshmia se angazhimi i tij i vërtetë nuk ka të bëjë me mirëqenien e hebrenjve por me triumfin e ideologjisë së tij sioniste në synimin e ekspansionizmit dhe hegjemonisë.

Nuk është thjesht shkak sionizmi apo Izraeli në synimin e Administratës Amerikane për të dobësuar Iranin. Dobësimi dhe shkatërrimi i Iranit është një agjendë kryesore e një tjetër aleati të ngushtë të Trumpit në rajon. Elita qeverisëse saudite e ka parë Revolucionin iranian të vitit 1979 si një kërcënim vdekjeprurës për pozitën dhe pushtetin e saj, sepse përmbysi një monark feudal, ishte kundër dominimit amerikan të rajonit dhe kërkonte frymëzim tek vizioni i Islamit i rrënjosur në dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë sociale. Ndërsa ndikimi iranian në Azinë Perëndimore u zgjerua sidomos pas pushtimit anglo-amerikan të Irakut, elita saudite u bë edhe më e shqetësuar për Iranin dhe donte që SHBA të frenonte rolin e Iranit në rajon. Në këtë drejtim ja vlen të shohim se nëse Irani është bërë më influencues në rajon gjatë ketyre 15 viteve të fundit, kjo nuk ka ardhur vetëm për shkak të urtësisë së lidershipit iranian, por edhe për shkak të marrëzirave të elitës sunduese të Arabisë dhe SHBA-së . Përmbysja e Sadam Huseinit përmes një pushtimi anglo-amerikan të Irakut në vitin 2003, për shembull, hapi rrugën për ngritjen e politikanëve shitë që ishin më të prirur ndaj Iranit.

Por interesat dhe ambiciet e elitës saudite dhe izraelite që janë ndërthurur në shtytjen e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit nuk theksohen nga mediat. Rrjedhimisht, vetëm një pjesë e vogël e publikut i kupton shkaqet reale të përshkallëzimit të tensioneve në Azinë Perëndimore të përqëndruara tek Irani. Kjo vjen kryesisht për shkak se mediat fshehin dhe maskojnë të vërtetën, ashtu sikurse shumë njerëz e shohin viktimën si dhunues dhe dhunuesin si çlirimtar. Ose siç tha dikur Malcolm X, “Nëse nuk jeni të kujdesshëm, gazetat do t’ju bëjnë që të urreni njerëzit që shtypen dhe të doni njerëzit që shtypin”./globalresearch/Gazeta Impakt

OPINIONE