Shërbimi Sekret Gjerman alarmohet për Ballkanin: Arabia Saudite po…

Sipas gazetës “Berliner Zeitung”, Shërbimi Sekret Gjerman është i alarmuar për shkak të tendencave të Arabisë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Persik, për të përkrahur fanatikët fetarë në Ballkan.

Shërbimi Sekret Gjerman “BND”, është fokusuar kohët e fundit në disa vende të Ballkanit dhe sidomos në Bosnjë-Hercegovinë për t’iu kundërvënë aktiviteteve të shteteve të Gjirit Persik, të cilat kanë për qëllim të përkrahin fanatikët fetarë. Siç shkruan gazeta “Berliner Zeitung” në numrin e së martës, “BND” po bashkëpunon me shërbime të tjera.

Si mbështetëse e madhe e vahabistëve në Bosnjë-Hercegovinë konsiderohet Arabia Saudite. Qëllimi i këtij shteti është të eksportojë versionin e tij rigjid të islamit. Mes shteteve pasardhëse të Jugosllavisë, Bosnjë-Hercegovina është shteti më i brishtë. Nga ky vend qindra të rinj i janë bashkuar të ashtuquajturit “Shtet Islamik”.

Në një fjalim të mbajtur para dy javësh në “Fondacionin Hanns Seidel”, në München, shefi i BND-së, Bruno Kahl, tha se, fuqi shtytëse e politikës ndërkombëtare janë ndryshimet demografike. Këto ndryshime shkaktojnë valë refugjatësh dhe ndikojnë në krijimin e shteteve të dobëta, të cilat mund të bien pre e luftërave civile dhe të shërbejnë si vende ku tërhiqen dhe operojnë terroristët.

Kahl deklaroi: “Indeksi i Shteteve Fragjile për vitin 2016 në këtë kontekst nga pikëpamja gjermane ofron një pamje pak inkurajuese. Aty Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia renditen në kategoritë deri në . Kjo nuk domethënë se në këto vende është shkatërruar shtetësia. Por, me gjasë ajo nuk i përshtatet atyre standardeve, të cilat ekzistojnë në Europën perëndimore dhe të mesme – dhe të cilat nga Indeksi i Shteteve Fragjile vlerësohen si dhe”.

Në fjalimin e tij në München, shefi i BND-së ka folur edhe për Rusinë. Kahl e ka quajtur këtë vend “rrezik potencial”. Ai përshkroi ambiciet e Rusisë për të shtuar ndikimin në vendet e BE-së dhe shtroi pyetjen nëse Perëndimi është i aftë t’i kundërpërgjigjet këtyre kërcënimeve. Kahl tha se nuk ka ndonjë shenjë se raportet me Rusinë do të përmirësohen nën drejtimin e Vladimir Putinit. Ambiciet e Rusisë, sipas Kahl, do të shtohen.

Shefi i BDN-së theksoi se pas manovrave verore Rusia ka modernizuar armatimin dhe komandën e forcave ushtarake. Sipas tij stacionimi i trupave dhe niveli i ripërtëritjes janë zhvillime “shqetësuese”. Rusia, shtoi ai, po përpiqet të marrë një rol udhëheqës në kontinentin europian, duke dobësuar BE-në dhe zmbrapsur SHBA-të.

Qëllimi, sipas Kahl, është të futet një pykë mes BE-së dhe Amerikës. “Që ta themi qartë: në vend se të jetë partner për sigurinë europiane, Rusia më shumë është rrezik potencial. Moska është kthyer si protagonist i politikës botërore dhe do të mbetet fqinj i parehatshëm”. Kahl tha se, Europa duhet të mendojë nëse pozicionimi i NATO-s dhe i Perëndimit është i mjaftueshëm për të kundërshtuar këto potenciale kërcënimi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne