Sherri LIVE/ Lefter Maliqi përplaset me Eni Vasilin: Ta gëzosh detyrën që të ka dhënë Rama

Deputeti Lefter Maliqi që ka hyrë së fundi në parlament është përplasur ashpër jo vetëm me të ftuarit, por edhe me vetë drejtuesen e emisionit “Open” gazetaren Eni Vasili. Maliqi ishte vënë në një studio tjetër për të ndërhyrë herë pas here dhe mesa duket kjo nuk i ka pëlqyer pasi e shprehu që në fillim.

“Më keni vënë këtu, por besoj se ka ardhur koha që të isha aty në studio” – tha deputeti që hyri në parlament nga lista e PD-së. Gazetarja Eni Vasili e pyeti Maliqin se a do ta mbajë premtimin se do të jepte dorëheqjen nëse zhvilloheshin zgjedhjet e 30 qershorit.

Deputeti tha se nuk largohet pasi ishte dekreti Metës për anulimin e zgjedhjeve që e shmangu konfliktin civil dhe jo vendimi i mazhorancës. Maliqit nuk i ka pëlqyer këmbëngulja e drejtuesit të emisionit duke i thënë asaj se “po e provokonte”.

Më pas Maliqi ka debatuar ashpër me zv/ministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi të cilit i tha se është sot në qeveri vetëm falë koalicionit me LSI në 2013.

“Qepe ti dhe hiqi ato syze. Ti je në qeveri vetëm falë Ilir Metës dhe pazarit të 2013”, – iu drejtua Maliqi, Koçit.

Por në fund të emisionit gjakrat janë ndezur sërish. Drejtuesja e emisionit e futi sërish në linjë Maliqin i cili i tha se ajo po e drejtonte keq emisionin duke i kujtuar një detyrë që ajo ka marrë së fundmi në administratë.

“Ti po e drejton keq emisionin. Ta gëzosh detyrën që të ka dhënë Edi Rama” – tha Maliqi, ndërsa Vasili iu përgjigj: “Po na jep dhe mend tani. Hajd mirupafshim!” – tha gazetarja duke e mbyllur lidhjen direkte me deputetin.

Gazetarja Eni Vasili është zgjedhur së fundmi nga parlamenti me propozim të qeverisë si anëtare e Këshillit të Statistikave si përfaqësuese e medias./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne