Sherri live në emision mes deputetëve, Frashër Krasniqi i penduar që goditi Milaim Zekën

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka kujtuar përplasjen fizike të vitit të shkuar me Milaim Zekën, duke numëruar faktorët që kanë çuar në incident, për të cilin ka kërkuar falje. Ai ka mohuar pretendimet e Zekës se incidenti ishte i planifikuar, duke theksuar se madje kurrë më herët në jetën e tij nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë konflikt fizik.

“Më vjen keq që ka ndodhur. Nuk ka qenë diçka as e planifikuar as e menduar. Ka qenë situata e tensionuar që ka çuar në atë incident. Nuk është dicka e mirë, ose diçka me të cilën jam dakord. Disa orë pasi pati ndodhur kam shprehur keqardhjen. Unë nuk mendoj që diskutimet duhet të zgjidhen me grushte. Më vjen keq prej publikut për atë që ka ndodhur. Do të kisha dashur të mos ndodhte kurrë më”, ka thënë Krasniqi në Klan Kosova.

“Më vjen keq edhe prej kameramanëve dhe prej autorit të emisionit. Problemi është se si gjithcka tjetër në Kosovë, edhe gjuha politike këtu ka degraduar shumë. Bëhen sulme direkte, pa fakte, me etiketa. Por edhe kam qenë në një periudhë delikate, meqë sapo kisha dalur nga burgu”.

“Ka qenë situatë emocionale. Të gjitha ato fyerje dhe ofendime kanë qenë problematike. Nuk po dua ta justifikoj atë që ka ndodhur, por që të tregoj si ka ndodhur. Nuk kam dëshirë që profili im publik të jetë i lidhur me këtë incident”.

“Ka qenë i pavërtetë(pretendimi se Krasniqi ka ushtruar boks), sepse kurrë nuk kam ushtruar boks. Kurrë nuk jam rrahur me dikënd. Ishte mund të them hera e parë në jetë që më ka ndodhur ajo gjë”.

“Aspak e planifikuar nuk ka qenë. Kur e kam kuptuar që do të jetë i ftuar në emision Milaim Zeka ka qenë rreth gjysmë ore para nisjes së emisionit. Më ka ardhur keq të them “nuk vij”, por kam ardhur me plot rezerva. Ka qenë e paplanifikuar. Kemi qenë në kohë zgjedhjesh”.

“Nëse grushtet e mia do të kishin çuar në ndarjen e Vetëvendosjes, do të kishte qenë shumë e lehtë. Unë do të jepja dorëheqje dhe gjithçka do të zgjidhej lehtë”.

“Nuk mendoj që kam për çfarë të debatoj. Nuk kam pasur ndonjë rast të komunikoj me të. Problem personal me të nuk kam”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne