Shifra të larta të martesave të të miturve në SHBA

Martesa e të miturve mbetet mjaft e përhapur në SHBA, me të paktën 207,468 të mitur të martuar ligjërisht në të gjithë vendin midis viteve 2000 dhe 2015, sipas Unchained At Last, një organizatë jofitimprurëse që kundërshton martesat me shkesi dhe ato të detyruara.

87 për qind e të miturve të martuar ishin vajza, dhe më së shumti 16 ose 17 vjeç, njoftoi Independent.

Fëmijët më të vegjël të martuar ishin tre vajza 10-vjeçare nga Tennessee në vitin 2001 dhe një djalë 11-vjeçar nga i njëjti shtet në vitin 2006.

Në Alaska, Luiziana dhe në Karolinën e Jugut, liçenca për martesë u është dhënë edhe 12-vjeçarëve, dhe 11 shtete të tjera kanë lejuar martesën e 13-vjeçarëve.

Madje liçenca martesore u ishin lëshuar edhe 1,000 fëmijëve të moshës 14 vjeçare ose më poshtë, sipas Independent.

Shifrat më të fundit të publikuara nga Unchained at Last kishin qenë për vitet 2000-2010, ku ata kishin vlerësuar se më shumë se 167,000 fëmijë ishin martuar në moshë të mitur.

Shifrat për Nju Jorkun ishin 3,800 për të njëjtën periudhë. Ndërsa në Virxhinia, rreth 4,500 fëmijë janë martuar midis 2004 dhe 2013, sipas Qendrës së Drejtësisë Tahirih. Në New Jersey, 3.500 fëmijë janë martuar çdo vit ndërmjet viteve 1995 dhe 2012.

Sipas Reuters, 170,000 fëmijë janë martuar ndërmjet viteve 2000 dhe 2010 në 38 nga 50 shtetet e SHBA-ve.

Aktualisht të miturit lejohen të martohen në shumë shtete në SHBA, me kusht që të marrin leje nga të dy prindërit dhe / ose gjykata. Ka edhe shtigje të tjera ligjore që lejojnë fëmijët të martohen, siç është shtatzënia adoleshente, e cila anashkalon pëlqimin e prindërve.

Hulumtimet kanë treguar se martesat e fëmijëve janë të shoqëruara me një shkallë më të lartë të shtatëzanive të padëshiruara, abuzimit dhe shkurorëzimit. Martesat e fëmijëve dhe martesa e detyruar gjithashtu ndikojnë në mënyrë disproporcionale tek vajzat dhe gratë, dhe ata që martohen në adoleshencë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë çrregullime psikiatrike, kanë qasje të kufizuar ose aspak qasje në arsim dhe kanë më pak mundësi karriere.

Martesa e fëmijëve ka qenë një çështje e debatuar shumë në SHBA, dhe shumë shtete kanë filluar të ndërmarrin veprime më të mira kundër saj duke përditësuar ligjet e tyre të vjetra dhe duke futur masa të reja për mbrojtjen e fëmijëve.

Megjithatë, guvernatori i New Jersey, Chris Christie nuk pranoi të nënshkruante një ligj majin e kaluar, i cili do të kishte ndaluar martesën nën moshën 18 vjeç në shtetin e tij, duke thënë se mos lejimi i ndonjë përjashtimi do të binte ndesh me “zakonet fetare” dhe “kulturat dhe traditat e disa komuniteteve”. Masa nxiti protesta publike në të gjithë shtetin dhe vendin.

Situata në mbarë botën nuk është e ndryshme, dhe megjithëse shkalla e martesës globale të fëmijëve është në rënie, sipas të dhënave të Girls Not Brides, çdo dy sekonda një vajzë nën moshën 18 vjeç bëhet nuse. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne