Shifrat e varfërisë/ INSTAT: 93% e shqiptarëve jetuan me 4 euro/dita

Vit për vit, Shqipëria po bën hapa të shpejtë në hendekun e pabarazisë, ku të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër.

Në anketën e buxhetit të familjes për vitin 2016, Instituti i Statistikave (INSTAT) referoi se 90% e familjeve shqiptare shpenzuan mesatarisht 63,609 lekë në muaj. Këto familje, sipas INSTAT, kanë mesatarisht 3.9 anëtarë.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”-it, 90% e familjeve në fashën e poshtme të konsumit përbëhen nga 2,696,772 persona, të cilët përbëjnë 93% të totalit të popullsisë (2,896,532 banorë). Kuota e shpenzimeve ditore për kokë banori në këtë kategori ishte 544 lekë në ditë, ose 4 euro në ditë për frymë.

Llogaritë tregojnë se, 10% e familjeve që përbëjnë 7% të popullsisë së vendit me 199,761 persona konsumojnë 15 euro në ditë për frymë ose tre herë më shumë se 93%.

Shpenzimet mesatare për konsum të NjEF tregojnë se në vitin 2016, ka pasur një rritje më të madhe të shpenzimeve të 10% të NjEF me shpenzimet më të larta (14,6%) në krahasim me rritjen e shpenzimeve mesatare për konsum të 90% tjetër (0,6%) në krahasim me 2015-n.

Shpërndarja e nivelit të shpenzimeve për konsum tregon se 90% e NjEF shpenzon 78,3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 lekë në muaj.

Nga ana tjetër, 10% e NjEF shpenzon 21,7% të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 lekë në muaj. Shpenzimet mesatare për konsum të 10% të NjEF me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90% tjetër të NjEF.

Si rrjedhim, raporti i konsumit të familjeve më 2016-n, për këtë tregues, paraqet një rritje të pabarazisë nga 2,2 më 2015 në 2,5 më 2016.

Jetesa më 4 euro në ditë konsiderohet si varfëri relative sipas standardit të Bankës Botërore. Kategoria e personave në këtë kategori konsumi konsiderohen më shumë në varfëri se sa në jetesë normale. /MONITOR/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne