Shitja e emisioneve televizive mjegullon linjën ndarëse mes lajmit dhe propagandës

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë në nenin 84 ndalon rreptësisht propagandën, komentet ose qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Në rast shkeljesh të konstatuara, një operator televiziv gjobitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në 1 milion lekë, në qoftëse është operator lokal dhe deri në 2.5 milionë lekë për operatorët kombëtarë. Në rast përsëritje të shkeljes, KQZ urdhëron AMA-n të bllokojë transmetimet e operatorit përkatës për 48 orë.

Gjobat që parashikon ligji duket se nuk i kanë ndaluar dy operatorë televizivë, News 24 dhe A1 Report  që të reklamojnë haptazi nëpërmjet KQZ-së shitjen e kronikave televizive dhe të emisioneve prime-time për partitë politike dhe kandidatët gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe atyre vendore të vitit 2015.

Kjo praktikë, e cila sipas ekspertëve të medias është vetëm maja e ajsbegut përsa i përket marrëdhënies së errët midis medias dhe politikës në Shqipëri, është një tjetër shenjë e shkeljes së vijës ndarëse midis lajmit dhe propagandës gjatë fushatave elektorale.

Megjithatë, KQZ e cila i ka marrë këto vetëdeklarime dhe i ka publikuar në faqen e saj zyrtare nuk duket se ka vërejtur ndonjë problem në këtë pikë, dhe një anëtar i Bordit të Monitorimit të Medias, BMM, i tha BIRN që kontrolli i këtij institucioni ishte limituar thjesht në matjen e minutazhit që u është alokuar palëve garuese në fushatë.

I pyetur nga BIRN mbi shitjen e hapësirës në emisione politike, drejtori i TV News 24 Andi Tela, u shpreh se tarifat e shpallura gjatë dy fushatave të fundit nuk kishin qëllim propagandën, por largimin e politikës nga televizioni.

“Ideja e këtyre çmimeve për debatet dhe emisionet është te fakti që ka shumë kërkesa për të dalë në emision, d.m,th vjen çdo njeri, shoku i filanit, një parti… Për ta shmangur këtë gjë ne vendosëm këto çmime edhe ata stepen, nuk vijnë,” tha Tela.

Ndërkohë, ish-drejtuesi i A1 Report, tashmë i mbyllur dhe i ndarë në dy televizione A1 dhe Report TV, i tha BIRN që shitja e kronikave televizive ishte një problematikë e lidhur me kompaninë tashmë të mbyllur.

“Ajo është tjetër kompani,” tha Carlo Bollinio në një bisedë telefonike,  ndërsa shtoi se “Report TV” të cilin ai zotëron tani “nuk shiste kronika. ”

Shqipëria renditet e 76-ta në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2017, të publikuar nga organizata Reporterë pa Kufinj, ndërkohë që organizata “Freedom House” e cilëson median shqiptare në raportin e saj vjetor si “pjesërisht të lirë.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne