Shitja e Shqipërisë: Shqiptarët kundër ndërtimit të bazava ushtarake të huaja

Nga Nderim Lushi – Kukës

Para disa ditësh mediat e sistemit raportuan për një vizitë të ministres së mbrojtjes znj. Olta Xhaçka në SHBA, ku ndër të tjera, raportohet për një kërkesë që ministrja Xhaçka i ka dorëzuar SHBA-ve, kërkesë për vendosjen në Shqipëri të një baze ushtarake të SHBA-NATO.

http://shqiptarja.com/lajm/rreziku-rus-shqiperia-kerkon-prezence-ushtarake-te-shbase-ne-vendin-tone

1-Unë besoj që kjo kërkesë e ministres, si fillim është antikushtetuese, pasi  normalisht një miniprojekt i vogël kërkon angazhimin e publikut në vendim-marrje, ndërsa vendosja e një baze militare të huaj është diçka që prek kushtetutën e Republikës, e alinjon vendin rrezikshëm dhe seriozisht në sipërmarrjet gjeopolitike dhe minimalja një kërkesë e tillë kërkon të mbështetet me referendum, ose të paktën të votohej nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë. Vendosja e një baze ushtarake të huaj nuk është kompetencë e një ministreje linje dhe nuk mund të jetë kurrë kompetencë e saj.

2-Nga ana tjetër, besoj që kjo kërkesë duhet të përfshihet në “Rekordet Botërore të Guinness”, pasi kështu bëhemi vendi i parë në botë që kërkon me vullnet të lirë vendosjen e një baze militare të huaj. Në gjithë botën kërkojnë të heqin bazat militare, pasi statistikisht qytetet pranë bazave shkatërrohen totalisht, ndërsa ministrja Xhaçka, e paautorizuar, kërkon vendosjen e një baze militare të huaj.

Ministrja Xhaçka futet në Guinness, pasi është ministrja e parë në historinë botërore që kërkon vendosjen e një baze të huaj!

Çdo njëri nga ne i gjykon gjërat në eksperiencën dhe sipas interesave të tij, por askush nuk do të dëshironte t’i rriste fëmijët buzë një reparti ushtarak, ku mund të stacionoheshin permanent 10 000 ushtarë beqarë; ky do të ishte fundi dhe shkatërrimi i çdo familje të atij qyteti, të paktën kjo është e vërtetuar statistikisht në çdo qytet që ndodhet pranë një baze ushtarake.

Ndershmërisht  kam besuar që roli i SHBA-ve dhe i BE është ai që pasqyrohet dhe që propagandohet në media, (akoma një pjesë e mirë e Shqiptarëve akoma e besojnë një gjë të tillë, kjo falë propagandës dhe trushpëlarjes masive)  edhe pse besoja që ka dozë propagande, relativisht besoja që Amerika dhe BE po e ndihmojnë Shqipërinë. Por sot pas 27 viteve mashtrim, shtetshkatërrim dhe varfëri ekstreme  ka vetëm një të vërtetë: “Shqipëria është një koloni e SHBA+BE dhe qytetarët Shqiptarë si unë nuk kanë asnjë të drejtë, qoftë dhe të drejtat bazike të ushqehen dhe të shëtisin të lirë në territorin e Republikës”.  Duke njohur një të vërtetë dhe një realitet të tillë, sot nuk mund të pajtohemi me faktin e vendosjes të një baze të huaj në Shqipëri, qoftë ajo dhe e NATO-SHBA. 

Nëse Amerikanët dhe BE nuk e ndihmojnë popullin Shqiptar, atëherë pse duhet që ne të pranojnë në heshtje dhe në përulësi vendosjen e një baze militare?!

Ministrja Xhaçka pretendon se do të paguhen taksa për bazën; sigurisht që do të paguhen taksa, pasi paguhen dhe sot taksa, por në këmbim Shqiptarët nuk përfitojnë asgjë nga këto taksa, por veçse me to financohet dhe sponsorizohet ferri dhe diktatura 27-vjeçare që kanë instaluar tipa si Berisha-Meta-Nano-Rama-Basha.

Kush punësohet sot në shtet, në shtetin dhe në administratën që mbahet me këto taksa?

Aty punësohen ekskluzivisht vetëm militantët e partive dhe ata që paguajnë për një vend pune, pra logjikisht çdo taksë dhe çdo pagesë që mund të kryejnë të huajt nuk ndikon aspak në mirëqënien tonë, por në të kundërt forcon diktaturën dhe varfëron dhe shtyp deri në ekstrem Shqiptarët. Taksat kanë kuptim në një shtet të drejtë, por kur një shtet drejtohet nga kriminelët  dhe të korruptuarit e PD-PS-LSI, çdo taksë dhe çdo e ardhur forcon regjimin, forcon armiqtë e Shqiptarëve (politikanët).

Përse duhet ta pranojmë një bazë të huaj?

Sigurisht që Rama-Berisha-Meta, si hileqarë dhe si skile të vjetra komuniste do të propagandojnë që çdo tank Amerikan dhe çdo avion dhe raketë amerikane në Shqipëri,  si të drejtuar dhe si kërcënim kundër Serbëve dhe Rusëve (edhe pse ne nuk jemi në luftë me asnjë shtet); dhënë që Shqiptarët kanë një urrejtje historike ndaj Serbëve dhe Rusëve, do të pranonin të gjitha bazat e botës, mjafton që ato të propagandoheshin dhe të prezantoheshin si Baza kundër Serbisë, Baza kundër Rusisë; Shqiptarët do të merrnin vetëkënaqësinë antiserbe dhe antiruse, ndërsa lekët do t’i merrte Berisha-Rama-Meta, kaq e thjeshtë është.

Shqiptarët do të pranonin çdo lloj baze, por çfarë fitojnë drejtpërdrejtë Shqiptarët nga këto baza?! Nëse Bazat vijnë për të mbrojtur Berishën, Ramën dhe Metën, dhe për t’i bërë ata më të pasur dhe më të pushtetshëm, nuk besoj se Shqiptarët do t’i mirëpresin. Nëse Amerika u heq vizat Shqiptarëve për në SHBA, pra përpara se të vendosen bazat, sigurisht që i madh e i vogël do të votonin pro vendosjes së bazës, ndërsa askush nuk do t’i merrte për lekë cash dhe për bukë e ujë, fjalët boshe të ambasadorit Lu, të lehurat e Vlahutin, ulërimat histerike dhe patriotiko-pabukse të Berishës, fjalimet sorosiane të Ramës, recitimet prej agjenti të Basha-Veliaj apo çizmehedhjet e Kryemadhit; Shqiptarët duan diçka paraprakisht, duan diçka konkrete, koha kur Amerika i falte Shqipërisë 5 fuqi vaj të skaduar në vit, e cila propagandohej si mega-ndihmë, ka vdekur, ajo kohë naive është varrosur.

Është logjike që nuk mund të kundërshtojmë superfuqitë, por nuk do të dorëzohemi pa u përpjekur  në protesta të fuqishme kundër vendosjes së bazave.

Nga ana tjetër besohet gjerësisht që ministrat e mbrojtjes në Shqipëri aprovohen dhe konfirmohen nga Departamenti i Shtetit, pasi jemi dhe në NATO, aq më tepër që Kodheli-Xhaçka janë studente të dyshimta të universiteteve Amerikane (besoj keni dëgjuar për CIA-n). Tani si është kjo punë, ministre të dyshimta dhe të shkolluara në Amerikë, të flasin në emër të Shqiptarëve në një marrëveshje ku praktikisht Shqipëria i shitet falas Amerikës?! Është njëlloj sikur ambasadori Lu të fliste në emër të Shqipërisë, dhe kjo në një marrëveshje me Amerikanët, pra s’do të kishte sens. Kështu që është referendumi që do të autorizonte një marrëveshje të ngjashme, do të jenë protestat në fund dhe guximi i qytetarëve Shqiptarë që do të përcaktojnë vendosjen, ose mosvendosjen e një baze militare.

Nëse Baza është një koperturë për të mbrojtur tunelet e Sarinës, ajo është çështje tjetër dhe kërkon një qasje ndryshe, por Amerikanët duhet ta harrojnë vendosjen e një baze të paaprovuar nga Shqiptarët. Aprovimi i krerëve të PD-PS-LSI nuk mjafton, janë Shqiptarët që vendosin për territorin e tyre…

Vendosja e një baze ushtarake të huaj të paaprovuar nga Shqiptarët, do të bënte që vendi të zhytej në kaosin dhe në rrëmujën e madhe të protestave dhe të destabilizimit, prandaj aprovimi i një baze bëhet nga  populli dhe vetëm nga populli Shqiptar.

Të mbrojmë Shqipërinë, të mbrojmë interesat e Shqiptarëve!

Kundër faljes së territorit Shqiptar!/ nderimlushi.com 24.4.2018

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne