Shkaqet e tensioneve në vijën e frontit Azerbajxhan-Armeni dhe rezultatet e mundshme

ARAZ ASLANLI

Sulmi i ushtrisë së Armenisë me armë të rënda ndaj rajonit Tovuz të Azerbajxhanit përnjëherë e ndryshoi axhendën botërore dhe shkaktoi që skenarët rajonalë të luftës sërish të hyjnë në rend dite. Veçanërisht në sulmet e ndërsjella që filluan në orët e drekës më 12 korrik dhe duken sikur janë dobësuar më 15 korrik, të dyja palët njoftuan humbje serioze.

Azerbajxhani për herë të parë në një përleshje të nxehtë humbi një gjeneral. Ndërsa stacionet armene prej ku u kryen sulmet ndaj Azerbajxhanit u shkatërruan me zjarrin e hapur nga Azerbajxhani. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, fillimisht mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa një ditë më vonë Këshillin e Ministrave me axhendë të veçantë prej ku dha mesazhe të rëndësishme ndaj sulmeve të Armenisë.

Reagimi më i ashpër ndaj sulmeve të Armenisë, erdhi nga Turqia. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, dënuan sulmet e Armenisë, duke i bërë thirrje shtetit okupues që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të largohet nga tokat që i ka okupuar. Deklaratat e fuqishme të presidentit Erdoğan dhe kryediplomatit Çavuşoğlu veçanërisht se do të qëndrojnë pranë Azerbajxhanit, me të gjitha mundësitë, në çdo rrugë që ky vend do të zgjedh për të shpëtuar tokat e tij, duhet të shihen si deklarata që mund të ndryshojnë ekuilibrin rajonal.

Rusia ftoi palët të respektojnë armëpushimin dhe deklaroi se në rast të nevojës mund të ndërmjetësojë mes palëve. SHBA, Britania e Madhe dhe vendet tjera perëndimore bënë thirrje për vetëpërmbajtje. Pakistani dënoi ashpër sulmet e Armenisë dhe shprehu mbështetjen ndaj Azerbajxhanit. Nga ana tjetër Ukraina dhe Moldavia duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje palëve, kërkuan zbatimin e integritetit territorial të Azerbajxhanit si dhe të zbatohen rezolutat 822, 853, 874 dhe 884 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që kërkojnë përfundimin e okupimit të Armenisë, si dhe zgjidhjen e problemit në përputhje me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht në parimin e integritetit territorial.

Madje, për shkak të qëndrimit të tillë të Ukrainës, ambasadori ukrainas në Erevan u thirr në Ministrinë e Jashtme, ku iu shpreh shqetësimi. Irani në deklaratën e parë shprehu keqardhje ndaj humbjeve të jetëve, duke ftuar në armëpushim palët. Por, në bisedën telefonike të ministrave të Jashtëm të Azerbajxhanit dhe Iranit, gjithashtu u shpreh edhe integriteti territorial i Azerbajxhanit.

OKB-ja, Bashkimi Evropian (BE), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO si dhe Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në të cilën bën pjesë edhe Armenia shprehën shqetësimet e tyre nga shkeljet e armëpushimit dhe nisjet e konflikteve të nxehta. Në kundërshtim me pritjet e Armenisë, CSTO nuk i dha asaj mbështetje të hapur. Organizata për Bashkëpunim Islam (OBI) dënoi Armeninë për shkak të sulmeve të saj dhe mbështeti Azerbajxhanin.

Zjarri në front nuk u ndal

Ndërkaq, në lidhje me shkaqet e konfliktit në kufi ka mendime të ndryshme. Në fakt, për ata që e dinë në detaje historikun e problemit, e veçanërisht procesin që solli në situatën aktuale, armëpushimin dhe “procesin e paqes” që vijon më pas, ky konflikt nuk është surprizë. Ashtu siç dihet Armenia e cila është më e gatshme në fazën e parë të luftës (me kuadër me përvojë të organizatës terroriste ASALA, ndërsa gjithashtu gëzon mbështetje serioze ushtarake, ekonomike e diplomatike nga jashtë) kishte okupuar rreth 20 për qind të territorit të Azerbajxhanit. KS-OKB dhe organizatat tjera ndërkombëare kishin nxjerrë rezoluta, vendime që dënojnë okupimin, duke kërkuar t’i jepet fund okupimit sa më shpejtë, pa kushte.

Por, Armenia, as nuk i respektoi këto vendime e as armëpushimin e nënshkruar në maj të vitit 1994. Armenia ka besuar se do të mbajë Azerbajxhanin nën presion me një okupim të masave të gjera dhe mundësisë së një sulmi të ri, ndërsa përpjekjet e Azerbajxhanit për t’i shpëtuar tokat do të parandalojë me mbështetjen ushtarake të Rusisë. Gati se shumica e forcave të rëndësishme që kanë interesa në rajon dhe kanë ndikim mbi problemin, janë munduar të përfitojnë nga pazgjidhshmëria, të negociojnë me palët nëpërmjet çështjes së okupimit. Për këtë shkak çështja e okupimit të tokave të Azerbajxhanit nga Armenia (me emrin e shkurtër dhe të njohur Çështja e Karabakut) cilësohej si “problemi i ngrirë” si çdo problem në gjeografinë ish-sovjetike.

Por, veçanërisht, pas ndërhyrjes së Rusisë në gusht të vitit 2008, u mësua shumë mirë se në realitet “problemet e ngrira” nuk janë të ngrira dhe se kjo situatë paraqet rrezik të madh, u pretendua se do të intensifikohen iniciativat mbi zgjidhjen e problemit. Madje, me marrëveshjen e nënshkruar në ndërmjetësimin e Rusisë më 2 nëntor 2009, në kështjellën Mein Dorf në afërsi të Moskës, pritej që të garantohet në mënyrë të konsiderueshme armëpushimi. Sepse për herë të parë palët kishin theksuar se do t’u përmbahen metodave paqësore në zgjidhjen e problemit, me një dokument në të cilën edhe Rusia e kishte nënshkruar. Por, në një mënyrë interesante armëpushimet të cilat në vitet e fundit shkaktuan humbje të mëdha, ndodhën derisa palët zhvillonin bisedime ose menjëherë të nesërmen.

Për shembull, atëherë kur kishte takime të nivelit të lartë në qershor 2010, gusht 2014, nëntor 2014, dhjetor 2015 dhe në disa periudha tjera, shkelja e armëpushimit shkaktoi humbje të rëndësishme nga të dyja palët ndërsa skenarët e luftës vinin në rend dite. Por, këto në disa ditë pas këtyre tensioneve u kthyen në axhendën e mëparshme. Përleshjet më të mëdha pas Marrëveshjes së Armëpushimit të vitit 1994 ndodhën në prill të vitit 2016. Gjatë këtyre përleshjeve Azerbajxhani iu kundërpërgjigj provokimeve të Armenisë duke i shkaktuar palës tjetër humbje të një pjese të tokës me të cilat i shpëtoi ato nga okupimi armen dhe për herë të parë në luftën 30-vjeçare e mori epërsinë psikologjike. Kjo shqetësoi në mënyrë serioze Armeninë dhe mbështetësit e saj.

Kështu që pas armëpushimit të vitit 1994 zjarri në të vërtet nuk u ndal kurrë. Shkeljet e armëpushimit tërheqin vëmendjen kryesisht si temë e fajësimit të ndërsjellë të palëve dhe tentativë për të shndërruar ekuilibrin e majit të vitit 1994 në favor të tyre. Gjegjësisht, Azerbajxhani në krahasim me fillimin e viteve 1990-ta është forcuar edhe më shumë në aspektin ushtarak, ekonomik dhe diplomatik. Edhe shifrat e mbështesin këtë informacion.

Armenia mundohet ta provokojë Azerbajxhanin

Sipas Azerbajxhanit mbetja e territoreve të saj (ish-Rajoni Autonom i Malësisë së Karabakut dhe 7 rajone përreth) nën okupim të Armenisë, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare por edhe nuk është e përshtatshme me kapacitetet ushtarake, diplomatike, ekonomike dhe kapacitetet e tjera të të dyja vendeve. Domethënë, Azerbajxhani, në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së, në moment të përshtatshëm në kuadër të së drejtës së vetëmbrojtjes posedon të drejtën dhe kapacitetin për çlirimin e tokave nga okupimi armen.

Armenia këtë kurs e sheh si shumë të rrezikshëm nga ana e saj dhe për të siguruar kufizimin e kapacitetetit në rritje të Azerbajxhanit me një luftë që do të merrte pjesë edhe Rusia (ashtu si në Gjeorgji dhe Ukrainë) mundohet ta tërheqë Azerbajxhanin në një provokim. Një nga shkaqet kryesore të Armenisë për të sulmuar nga një rajon tjetër mes kufijve të të dyja vendeve mund të jetë kjo.

Në përgjithësi, shkaqet e shkeljeve të armëpushimit dhe veçanërisht përleshjeve të fundit mund t’i radhisim si në vijim: Mundësi për Armeninë për të eliminuar rezultatet dhe shtypjen psikologjike të luftës së prillit të vitit 2016, një pasqyrim i luftës së brendshme politike në Armeni, qëllimi i qeverisë për largimin e vëmendjes nga problemet sociale dhe ekonomike, pasqyrimi i luftës së brendshme ushtarake, pasqyrimi i problemeve që ndodhin në politikën e jashtme, tërheqjen e Azerbajxhanit në një luftë të gjerë (ku edhe Rusia ushtarakisht do të marrë pjesë në krah të Armenisë) me të cilën do të sigurohet goditja e potencialit të Azerbajxhanit etj.

Nuk do të ishte gabim nëse theksojmë se çështja e Karabakut është një çështje e ndërlikuar, se Rusia nuk është fajtori i vetëm në shfaqjen e problemit, duke theksuar se në shfaqjen e situatës aktuale dhe pasuksesit në procesin e zgjidhjes ka rol mbështetja e veçantë e këtij vendi ndaj Armenisë.

Çështja e Karabakut, në aspektin e Rusisë, është një mjet i rëndësishëm në drejtim të vazhdimit të efektit të këtij vendi në Kaukaz. Për këtë shkak, nuk do të dëshironte zgjidhjen e plotë, kështu që nuk do të dëshironte eliminimin e një mjeti. Në periudhën e fundit pavarësisht Rusisë, ishte një mundësi e dobët që të fillojë një konflikt serioz dhe një palë të sigurojë avantazh serioz ndaj palës tjetër. Elementet që e dobësojnë zmadhimin e përleshjes janë që Azerbajxhani në këtë fazë nuk dëshiron një luftë ku do të ndërhyjë edhe Rusia, ndërsa Rusia përderisa merret me kaq shumë probleme nuk dëshiron të përjetojë probleme të reja për shkak të Azerbajxhanit.

Vendosmëria e Turqisë ndryshon ekuilibrin

Ndërkaq, me fillimin e përfshirjes aktive të Turqisë në proces gjendja “as paqe as luftë” për të gjithë, por veçanërisht për okupuesin Armeninë dhe forcat e jashtme që e mbështesin këtë vend në aspektin ushtarak dhe presin interes nga ngërçi, nis të jetë burim i rrezikut. Rikujtojmë se ministri Çavuşoğlu në deklaratën më 20 qershor 2020 theksoi se Azerbajxhani çfarë zgjidhje dëshiron në zgjidhjen e çështjes së Karabakut, ne do të jemi në atë mënyrë pranë tyre, duke vendosur për herë të parë një këndvështrim tjetër në lidhje me qëndrimin e Turqisë në lidhje me këtë temë.

Pas përleshjeve që filluan më 12 korrik, ky qëndrim u theksua më qartë dhe me këmbëngulje në nivel të presidentit Erdoğan dhe ministrave të ndryshëm. Pra, nga njëra anë ndryshimi i ekuilibrit në aspektin e mundësive ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Azerbajxhanit dhe Armenisë në favor të Azerbajxhanit në krahasim me fillimin e viteve 1990-ta, nga ana tjetër politika aktive ushtarake dhe deklaratat zyrtare të Turqisë ndryshuan ekuilibrin.

Më parë, okupimi i tokave të Azerbajxhanit nga armenët ishte një mundësi për vendet që kanë interesa në rajon dhe forcave që kanë ndikim mbi vendet e rajonit, tani në të njëjtën kohë fillon të shndërrohet edhe në një burim të rrezikut. Prandaj, situata “as luftë as paqe” në aspektin e çështjes së Karabakut për të cilën forcat që duan të përfitojnë nga ngërçi i problemeve në Kaukazin Jugor tashmë nuk është i shëndetshëm ashtu si në të kaluarën.

Një luftë e përmasave të mëdha që mund të fillojë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, për dallim nga problemet e Sirisë dhe Libisë mund të konsumojë më shumë mundësitë e forcave të mëdha në rajon (Rusia, Turqia dhe Irani) dhe këto fuqi mund t’i humbasin fushat e interesit të rëndësishëm që i kanë në rajonet tjera. Ky skenar do të jetë i përshtatshëm edhe për fuqitë e rëndësishme jashtë rajonit. Ka nevojë që fuqitë e rëndësishme në rajon të marrin në konsideratë këto dhe të veprojnë shpejtë në zgjidhjen e çështjes së Karabakut. Ky faktor mund të përshpejtojë procesin e zgjidhjes së çështjes së Karabakut.

[Aras Aslanlı është Shefi i Departamentit të Akademisë së Doganave Shtetërore të Azerbajxhanit, njëherësh edhe kryetar i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Strategjike në Kaukaz (QAFSAM)]/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne