Shqiperia

Shkarkimi i Gjeneralit, Presidenca: Dogjanit i mbaroi mandati

Bahri Shaqiri, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës, ka reaguar për disa lajme që lidhet me shkarkimin e Gjeneral Major Ylber Selman Dogjanit. Në reagimin e Presidencës thuhet se Dogjani u largua për shkak se i mbaroi mandati dhe “lirimi i tij nuk ka lidhje me asnjë pretendim tjetër, të ngritur dhe në disa media, se shkarkimi gjoja lidhet me shkelje ligjore.”

“Gjeneral Major Ylber Selman Dogjani është shkarkuar nga detyra e Komandantit të Forcave Detare, vetëm për shkak të mbarimit të mandatit. Lirimi i tij nuk ka lidhje me asnjë pretendim tjetër, të ngritur dhe në disa media, se shkarkimi gjoja lidhet me shkelje ligjore. Presidenti i Republikës nëse do kishte patur bindjen për një shkelje ligjore sado të vogël nga Gjeneral Major Dogjani, do e kishte shkarkuar atë menjëherë, dhe jo kur të plotësonte afatin e tij në krye të Forcave Detare”, thuhet në reagim.

Presidenti Meta kërkon që pasuesi i Gjeneral Dogjanit të vijë nga sistemi i karrierës dhe të ketë integritetin e duhur.

“Presidenti Meta shpreson se pasuesi i Gjeneral Major Dogjanit i cili do t’i propozohet në këtë detyrë, jo vetëm të ketë integritetin e duhur, por të jetë plotësisht i karrierës në Forcat Detare. Një nga detyrat kryesore të Presidentit është edhe mbrojtja e integritetit të ushtarakëve nga presionet dhe lojrat politike”, mbyllet reagimi i Presidencës./Top Channel

OPINIONE