Shqiperia

Shkelën masat anti-Covid, pezullohen 11 subjekte

Task- Forca anti-COVID ka vijuar punën në tërren me masa të shtuara për kontrollin dhe monitrorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në 24 orët Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 1381 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit.

Nga kontrollet janë marrë në total 11 masa administrative: 4 masa administrative me gjobë në fasoneri, kompani nafte, supermarket, të cilët janë gjetur në shkelje, duke mos zbatuar protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Eshtë vendosur pezullim aktiviteti për 7 subjekte në institucione publike, market ushqimor, dyqan veshjesh dhe filial banke. Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Dibër, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë.

Në total gjatë kësaj periudhe janë kryer mbi 114 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur mbi 400 masa administrative.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura.

MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit.

Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA