“Shkelën vijën e kuqe”, Kisha Orthodokse: Masa për ata që i hapën derën politikanëve

Çdo herë që ka pasur fushata zgjedhore në vend, politikanët mundohen në mënyra të ndryshme të tërheqin elektorat. Duke shfrytëzuar sa më shumë ambiente e metoda bindëse. Por, këtë herë, veç gjendjes së pazakonte në të cilën ndodhet politika, Partia Socialiste ka zgjedhur të bëjë fushatë dhe në vende të ndaluara. Kandidatja për bashkinë e Roskovecit, Majlinda Bufi ka dhënë një intervistë në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës.

Drejtori i Zyrës së Katekizmit në Kishën Ortodokse Miron Çako në një intervistë për Tirana Today thotë se politika po kalon vijën e kuqe.

“Kjo është e papranueshme për Kishën Ortodokse, sepse e para është bërë pa leje dhe ne nuk dinim asgjë për çfarë është bërë aty. E dyta, kjo cënon marrëveshjen shtet-kishë. Në nenin 21 thuhet që ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare, konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar. Kryetarja e Bashkisë së Rroskovesit, Majlinda Bufi shfajësohet duke thënë që ai është një monument kulture. Dhe e ndjen veten pronare në këtë monument kulture.”

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=f5n8GEHHUVs?feature=oembed]

Por, edhe në këtë rast marrëveshja e ratifikuar në vitin 2009 mes shtetit dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e ndalon këtë gjë. Madje Çako akuzon qeverinë se ndjehet pronare në vende kishtare që janë restauruar nga qeveria. Edhe pse janë prona të Kishës, ato ende nuk i janë kthyer plotësisht.

“Ky është një problem që po përballon Kisha Ortodokse me shtetin dhe Ministrinë e Kulturës, sa i takon restaurimit të monumenteve të kulturës. Në ato vende ku ka ndërhyrë qeveria, sidomos qeveria e rilindjes, këto vepra po shihen si pronë të qeverisë. Qeveria thotë unë i kam restauruar dhe mund të bëj çfarë të dua.

Shumë herë ambientet janë përdorur për qëllime që shkojnë ndesh me parimet e Kishave. Kemi rastin e Kishës së Shën Mërisë në Berat, që ishte një fyerje, sidomos me ato veshjet e atyre vajzave që nuk i përshtatej vendit. Ose janë bërë dhe këto konkurset e bukurisë apo e koncerte.

Për të gjitha këto kisha ka reaguar sepse janë bërë pa lejen e saj, duke shkelur kanunet kishtare dhe shenjtërinë e vendit. Tani vazhdon po e njëjta histori. Mirë për këto veprime “kulturore”, por tani dhe për veprime politike do përdoret kisha?! Kjo është e patolerueshme, po shkelet vija e kuqe.”

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, i cili kandidon për një mandat tjetër, zhvilloi një takim elektoral brenda ambienteve të Kishës së fshatit Lekël. Për të cilin Çako thotë se Mitropolia e Gjirokastrës po ashtu nuk ka pasur dijeni e nuk ka dhënë leje.

“Nuk ka dhënë leje Mitroplia e Gjirokastrës që të kryhet ai aktivitet. Vetëm duke marr atje quhet leje zyrtare. Edhe nëse ia ka dhënë prifti çelësin, ai nuk është zoti i Kishës. Ky i fundit duhet të marr leje nga Mitropolia dhe përgjegjësinë e mban ai që është sipër. Kështu drejtohet kisha, si çdo vend.

Nuk mund të them 100% për atë që ka ndodhur në Tepelenë. Por, mesa di unë nuk ka qenë në dijeni Mitropolia e Gjirokastrës. Tani a ka qenë kishtari, a ka qenë prifti, këtë nuk mund ta them. Edhe ai që i ka hapur derën ka bërë gabim patjetër do mbajë përgjegjësi, do merret masë. Por, çështja është që ai që di më shumë, atij i kërkohet më shumë. Shtetarit do t’i kërkohet më shumë sepse ai duhet t’i njohë ligjet. Patjetër është dhe gabimi i atyre fshatarëve të zonës, që kanë pranuar të kryhet ky aktivitet elektoral në Kishë.

Besimi i politikanëve duket nga veprat. Ti mund të thuash Zoti e bekoftë Shqipërinë apo e do Shqipërinë. Por kur nuk zbaton ligjet, ka një shprehje që thotë Krishti, ‘Pse më thërrisni Zot, kur nuk i zbatoni ato që them unë’. Dhe këto probleme që thashë unë, nuk janë vetëm të qeverisë së Rilindjes, por të gjithave në këto vite tranzicioni. Të gjitha e kanë shkelur marrëveshjen.”/tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne