Opinion

Shkëlqimi i shamisë së femrës myslimane në sytë e paragjykuesve

Nga Elemshah Palushi, psikologe

Udhëtimi kundër paragjykimeve ka ekzistuar dhe do të ekzistojë edhe pse duket si një udhëtim që nuk i gjendet kurrë fundi. Në këtë udhëtim vendosa të ndaloj në një stacion ku ishte i paragjykuar më së shumti një element. Ky element është shamia e femrës myslimane.

Përse duhet të paragjykohet kjo femër më së shumti?

Përse kjo femër, e cila mbart këtë element, pikërisht duhet të hasë pengesa në çdo hap që hedh, në çdo sferë të jetës së saj?!

A vishen të gjithë njerëzit njësoj?

Jo! Asnjë nuk ka stilin e njëjtë. Të gjithë vishen ashtu siç ndjehen rehat. Njeri nuk të bën veshja, nëse nuk mësohesh pikësëpari të respektosh dhe jo të paragjykosh vendimin e tjetrit, sepse gjithkush e ka një arsye për çdo vendim dhe sjellje.

Në çdo ambient që u ula, femrës me shami i servirej vetëm “një pjatë” me paragjykime për çdo “vakt”. Për këtë lloj femre, të cilën asgjë nuk e bën të ndryshme nga të tjerët, pavarësish spekulimeve, nuk mund ta mposhtë asgjë derisa ajo mban të mbushur gjithmonë “një gotë” me durim. Në çdo tryezë që ulet, e gëlltit çdo “lugë” paragjykimi me një “gllënjkë” durim, ashtu siç mund të gëlltisë kafshatën njeriu me ujë kur i ngec në fyt.

Për të gjykuar një bimë, nuk mund të kapesh vetëm në një gjethe të saj, por e mira do të ishte të fillonim nga rrënjët e saj, nga funksioni që kryen dhe jo nga bukuria.

Ndaj Ti që mbart këtë element kaq të rëndësishëm për ty, mos e ul kokën nga paragjykimet e të tjerëve, por bëji ato të të pendohen për ato që kanë thënë nëpërmjet heshtjes dhe kulturës, nëpërmjet veprave (aftësitë), sepse vepra e mund fjalën.

Qëndro e vendosur për atë çfarë ke zgjedhur, sepse njerëzit sado që të paragjykojnë, në fund do të vlerësojnë atë që ke në kokë dhe jo atë që ke mbi kokë!/ revistapsikologji

OPINIONE