Shkelzen Berisha ortak tek “Eagle Mobile”. Pronësi me paratë e shtetit, skenari

Shkelzen Berisha, djali i ish kryeministrit shqiptar Sali Berisha nuk është thjështë një sekser, mes kompanive nevojtare që kërkojnë copa nga paratë e pushtetit dhe babait të tij kur ishte kryetar qeverie. Këtë punë Shkelzeni e ka një ndër punët e tij fitimprurëse. Por nuk është e vetmja. Paratë e fituara si sekser mes babait dhe bizneseve ai është munduar ti fusë diku në punë, ti pastrojë, madje dhe ti shumëfishojë. Pasi paratë e shqiptarëve janë, para qyl. Kështu, që me nisjen e pushtetit të ri të Berishës në shtator të vitit 2005, ish kryeministri mendoi të pasuronte familjen e tij përmes pushtetit që zotëronte në krye të qeverisë.

Puna e parë që bëri ishte bllokimi i shitjes së Albtelekom te turqit dhe vendosjen e kushteve shtesë. Jo vetëm për të përfituar ryshfete, por dhe për të pasur një pjesë të kësaj kompanie si pronë të familjes, dhe konkretisht të djalit të tij të vonuar Shkelzen.

Puna e dytë që bëri ishte emërimi i Shkelzenit si drejtor juridik i kompanisë “Albtelekom” dhe mbajtja nën kontroll e kompanisë së “fjetur” celulare “Eagle Mobile” që do të vinte në jetë pak më vonë, për të pasur sërish si ortak Shkelzen Berishën. Që në atë kohë u përfol, se familja Berisha kishte pjesë ortakërie në Albtelekom dhe në Eagle Mobilie.

Këtu ishte dora e konsulentes Argita, vajza e Sali Berishës, e cila me zyrën e saj juridike mori përsipër tërë procedurat e “drejtorit” juridik Shkelzen Berisha për kompaninë telefonike dhe celulare. Pasi Shkëlzeni ishte bërë drejtori Juridik në “Eagle Mobile”, kompania e fjetur celulare e Telekomit në atë kohë.

Pikërisht këtu sulmet ndaj privatizimit të Telekomit u stopuan dhe pas disa muajsh u lidh marrëveshja. Drejtori as u kritikua, as u shkarkua, as u ndëshkua. Iku i lirë, duke larë borxhet dhe duke fituar miliona të tjera. Dhe gjithçka filloi në mënyrë të detajuar dhe me front të gjërë në funksion të grabitjes së parave të shtetit kur Andi Toma u “katapultua” në një nga drejtoritë kyç të administratës shqiptare jo për ndonjë meritë të veçantë, por për faktin se vinte nga zyra e avokatisë “Studio Pustina”, pronë e Laura dhe Andia Pustinës, që kishte jo vetëm lidhje pune me Argita Malltezin (Berisha).

Lidhja e fuqishme midis motrave dhe bijës së kreut të Ekzekutivit kishte aq fuqi, sa rezultoi të ketë ndikuar direkt në emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Rrugëve. Andi Toma është bashkëshorti i Laurës dhe kunati i Andias, të dyja shoqe të pandara të Argitës dhe, ndonëse ishte nën hetim zyrtarisht nga organi i Akuzës për shpërdorim të postit zyrtar, lidhur me shkelje të kryera gjatë procesit të tenderimit për rrugën Rrëshen-Kalimash, kjo miqësi ka qenë e mjaftueshme për ta katapultuar atë, nga drejtor departamenti juridik në Ministrinë e Transporteve, në kreun e Rrugëve.

Motrat Pustina kanë patur lidhje tepër të ngushta familjare me bijën e Sali Berishës, që, në gjuhën e përditshme, quhen “hanë e pinë bashkë”. Jo rastësisht Andia mbajti pozicionin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Albtelekomit, para se ky të shitej tek turqit e “Çalikut”, e ngarkuar me çështjet ekonomike.

Kunata e Andi Tomës ka qenë, njëkohësisht, eprore direkte e Shkëlzen Berishës, pinjollit tjetër të familjes kryeministrore, i cili në kompaninë-bijë të paprivatizuar të Albtelekomit, “Eagle Mobile”, mbajti postin e drejtorit juridik. Pra gjithçka e detajuar shumë qartë, për të qënë pjesë e këtyre dy kompanive, të cilat po u sjellin shqiptarëve në majë të hundës, jo vetëm për cilësinë por dhe më tarifat që ngrohen e ngrohen çdo sezon.

Ndërkohë që ne do zbardhim dhe më tej pasurinë e familjes Berisha, duke evidentuar lojrat e fatit të Shkelzenit dhe çimenton e Argitës./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne