Shkodër, ekspozitë për pullat postare turke

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita me pullat postare turke me temë “Pullat postare, pasuria që ndriçon historinë tonë”, në kuadër të 9 Tetorit, Ditës Botërore të Postës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm drejtues të Institutit “Yunus Emre” Shkodër, pedagogë, studentë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe organizatave, qytetarë dhe të pasionuar të pullave postare.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se pullat postare janë historia e një kombi, ndërkohë që kujtoi se në Turqi, organizata e parë postare është krijuar në vitin 1840 me emërtimin “Zyra Postare”.

“Përdorimi i pullave postare daton në vitet 1860. Vendi ynë ka një kulturë shumë të pasur për sa u përket pullave postare. Sot do t’i shohim bashkërisht një pjesë të tyre të cilat pasqyrojnë pasurinë kulturore të vendit tonë”, u shpreh Kıyıcı.

Ai u theksoi se Dita Botërore e Postës shënohet rregullisht përmes aktiviteteve të ndryshme në Turqi.

Në ekspozitën e hapur në ambientet e Institutit “Yunus Emre” Shkodër, e cila do të qëndrojë e hapur një javë, janë shfaqur 228 pulla postare nga viti 1960 dhe deri më sot.

Në pullat e ekspozitës janë të pasqyruara shtëpitë tradicionale turke, vepra historike, por edhe shumë elemente të veçanta të kulturës turke./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne