Shkodër/ Vidhet xhamia e Mjedës, autorët marrin 100 mijë lekë të rinj

As objektet e kultit nuk po i shpëtojnë dorës së hajdutëve. E ndërtuar një vit më parë, xhamia e fshatit Mjedë në Bashkinë Vau Dejës ka rënë pre e grabitësve. Mbrëmjen e së premtes, në këtë xhami janë vjedhur rreth 100 mijë lekë të reja. Lajmi bëhet me dije nga burime zyrtare të policisë së Shkodrës. Sipas bluve, vjedhja në xhaminë e Mjedës ka ndodhur në orët e mbrëmjes së 28 prillit, duke shfrytëzuar vendndodhjen e xhamisë në një rrugë dytësore, errësirën dhe mungesën e lëvizjes. Autorët e vjedhjes janë futur pas xhamisë dhe kanë shpërthyer me levë derën e zyrës ku ndodheshin paratë. Kjo shumë mësohet se ishte lënë aty për të bërë një rikonstruksion në oborrin e xhamisë. Ndërkaq, banorët e fshatit Mjedë e kanë dënuar këtë akt, ndërsa kërkojnë që policia të identifikojë dhe arrestojë sa më parë autorët.

“Është një ngjarje që nuk ka ndodhur kurrë më përpara në fshatin tonë. Të vjedhësh xhaminë është shumë e rëndë. Jemi ndjerë shumë keq kur e kemi marrë vësh një gjë të tillë. Unë për vete jam besimtar dhe nuk arrij ta konceptoj se kush mund të jenë ata persona që arrijnë deri aty sa të vjedhin xhaminë. Policia duhet sa më parë të arrestojë autorët e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe t’i vendosë përpara përgjegjësisë. Ajo që unë bëj thirrje për të gjithë komunitetin tonë, por edhe gjithë të tjerët është që të jenë sa më afër Zotit dhe jo të bëjnë akte të tilla që na turpërojnë”, – u shpreh Nexhip Hasmegaj, banor i fshatit Mjedë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne