Shkolla ‘Kosova’ dhe kullat/ Dy fytyrat totalisht të kundërta të Erion Veliajt

Ashtu si çdo ditë stafi i PR-it të Erion Veliajt shpërndan lajmet e gatshme pothuajse tek çdo media në vend. Sot ka qenë rradha e vizitës së tij në shkollën 9-vjecare ‘Kosova” e cila është në ndërtim e sipër. Vetë Veliaj, duke u munduar të reklamojë një tjetër arritje të tijën, tha se kjo shkollë ishte përcaktuar të bëhej pallat nga administrata Basha.

“Kjo ishte një shkollë, e cila u prish në një mënyrë të paprecedentë. Bashkia e kaluar donte të ndërtonte pallat, por ne e kthyem në identitet, e bëmë sërish shkollë. Në fund të ditës nuk janë llafet e gam-gamet ajo që tregon çfarë vendimesh kemi marrë, por projektet që ngelen në fund. Projektet tregojnë se për çfarë parimesh qëndrojmë; nëse qëndrojmë për një qytet ku s’u ndërtua një shkollë, një kopsht e një çerdhe, apo nëse qëndrojmë për një qytet që do të trashëgojë nga kjo administratë një “pajë” të paprecedentë në infrastrukturën arsimore”, – tha Veliaj.

Por ajo që është ironike në gjithë këtë histori është fakti se po në këtë zonë pak metra më tutje, disa ditë më parë u shemb një shtëpia e vjetër e motrave të Mbretit Zog. Ndërtesa ishte ngjitur me Liceun dhe një rrugë makinash i ndan me shkollën ‘Kosova’. Shtëpia dykatëshe edhe pse me një arkitekturë të vjetër që i vlente ta ruaje, si pjesë e Tiranës së vjetër, u shemb nga makineritë e Bashkisë. Arsyeja e shembjes është fare e qartë, ndërtimi i një kulle.

Janë pikërisht këto dy standarde që ndjek Veliaj; nga njëra reklamon ndërtimin e një shkollë me krenari që nuk ndërtuan një kullë, por nga ana tjetër, pak metra më tutje shemb një vilë dykatëshe për të ndërtuar një kullë tjetër. E ndërsa ngjarja e inspektimit të punimeve te shkolla “Kosova” dhe fjalët magjike të lali Erit i sheh në çdo media, shembja e vilës për të ndërtuar kullë mundohet të fshihet, gjë cila po ndodh në të gjithë kryeqytetin, po ashtu si me Teatrin. Kjo është gjithë filozofia e tij në krye të bashkisë së Tiranës; reklamo atë çka e ka për detyrë kryetari bashkisë dhe fshih kullët dhe lejet klienteliste./ tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne