Shkollat e fondacionit Maarif fillojnë semestrin në Bagdad

Fondacioni Maarif i Turqisë, i themeluar për të zëvendësuar shkollat e lidhura me organizatën terroriste FETO pas përpjekjes së dështuar për grusht shtet në Turqi, ka filluar vitin shkollor në Bagdad të Irakut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një shkollë të drejtuar nga Maarif në lagjen Ziyouna u organizua një ceremoni solemne, ku të pranishëm ishin edhe ambasadori turk në Irak, Fatih Yıldız dhe koordinatori i fondacionit Maarif në Irak, Emin Şımşek.

Duke iu adresuar të pranishmëve në ceremoninë e hapjes, ambasadori Yıldız falënderoi prindërit për besimin e dhënë ndaj organit publik turk të arsimit jashtë vendit, duke theksuar se Turqia mbështet shkollat që ofrojnë arsim në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërkaq, Şımşek, nga ana e tij, tha se fondacioni funksionon në Irak tashmë që dy vite.

Qeveria turke themeloi fondacionin turk Maarif menjëherë pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016, të orkestruar nga FETO, me qëllim të administrimit të shkollave jashtë vendit të lidhura me këtë organizatë terroriste.

Gjatë tre viteve të fundit, fondacioni ka krijuar shkolla dhe qendra arsimore në kontinente të ndryshme, nga Afrika në Azi.

FETO dhe udhëheqësi i tij me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar në Turqi, ku u martirizuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë mbetën të plagosur.

FETO po ashtu ka një prani të konsiderueshme jashtë Turqisë, përfshirë shkollat private të cilat shërbejnë si rrjedhë e të ardhurave për grupin terrorist.

Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, në veçanti në ushtri, polici dhe gjyqësor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne