Shkup, dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta me rastin e Fitër Bajramit

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit dhe nxënësit e shkollës së mesme “Cvetan Dimov” kanë shpërndarë dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta të cilët e vizitojnë shoqatën për terapi individuale “Dua YIberin“, raporton Anadolu Agency (AA).

Aksioni është zhvilluar në atë mënyrë që është vendosur një dru i improvizuar ku fëmijët kanë shkruar dhe më pas kanë ngjitur dëshirat e tyre. Pastaj, bamirës të ndryshëm kanë marrë letrat ku janë shkruar dëshirat dhe i kanë blerë produktet që kanë qenë të shkruara.

Suzana Tuneva nga Kryqi i Kuq tha se bëhet fjalë për rreth 50 fëmijë me nevoja të veçanta. Ajo sqaroi se dëshirat e tyre kanë qenë modeste dhe se janë plotësuar për një kohë të shkurtër, duke theksuar se dhurata të vogla kanë domethënie të madhe për fëmijët.

“Ky është një aktivitet tradicional të cilin do të vazhdomë ta realizojmë në kuadër të aktiviteteve të Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit dhe shpresoj se nga viti në vit, interesimi i qytetarëve që do të marrin pjesë në këso aksionesh do të jetë më i madh”, tha Tuneva.

Ajo gjithashtu falënderoi nxënësit e shkollës së mesme të qytetit të Shkupit për “humanitetin dhe përkushtimin e madh që e kanë treguar”.

Profesoresha Ajten Ajdini-Kadriu nga shkolla e mesme “Cvetan Dimov” tha se ky është viti i tretë që organizohet ky eveniment nga Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit në bashkëpunim me shkollën e mesme “Cvetan Dimov” dhe me shoqatën “Dua Ylberin”.

“Ideja ishte që të mblidhemi të gjithë, të jemi pak human, të nxjerrim atë zemrën tonë të bardhë që e kemi brenda neve dhe të kontribuojmë ndoshta sadopak në një buzëqeshje, ta vjedhim një buzëqeshje prej këtyre fëmijëve të cilët janë këtu dhe t’i gëzojmë ata”, tha Ajdini-Kadriu, duke shtuar se është e rëndësishme që fëmijët të jenë të lumtur për Festën e Bajramit.

Përpos që morën dhuratat, fëmijët u argëtuan edhe me maskotat e heronjve të tyre nga filmat vizatimorë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne