Shkup, konferencë rajonale për avancimin e barazisë gjinore

Klubi i deputeteve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik ka organizuar konferencë për bashkëpunimin rajonal në sferën e avancimit të barazisë gjinore dhe luftës kundër gjuhës së urrejtjes.

Në këtë konferencë, përpos deputeteve nga Maqedonia e Veriut, të pranishme ishin edhe deputete nga Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Kryetarja e klubit të deputeteve, Gjylymser Kasapi, tha se kanë pasur diskutime të frytshme për të dyja temat, duke theksuar se avancimi i barazisë gjinore dhe lufta kundër gjuhës së urrejtjes gjinore, janë tema aktuale.

“Mendoj që gjuha e urrejtjes me të vërtetë na ka kapluar dhe na ka shqetësuar kohëve të fundit, jo vetëm nga ana e mediave dhe veçanërisht rrjeteve sociale, por edhe nga përfaqësuesit e partive politike, edhe nga personalitete të ndryshme publike”, tha Kasapi, duke shtuar se është vendosur që ky vit të shpallet “Viti i luftës kundër gjuhës së urrejtjes ndaj femrave”.

Kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta, Daniella Rangellova, tha se me deputetet e vendeve të rajonit kanë shkëmbyer përvojat në ballafaqimin me problemet me të cilat përpallen gratë.

“Përpos këtyre temave, do të fokusohemi edhe në fuqizimin ekonomik të grave, që është një parakusht i rëndësishëm në luftën kundër dhunës familjare. Gjithsesi do t’i përfshijmë edhe gratë në mjediset rurale, nënat vetushqyese, gratë nga industria e tekstilit, e lëkurës, thjesht do të flasim me zërin e të gjitha grave në shtetin tonë”, tha Rangellova.

Deputetja Liljana Popovska tha se me deputetet e të gjitha parlamenteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një konkluzion për të formuar një rrjet të deputeteve.

“Sot është formuar një rrjet ballkanik i deputeteve dhe si aktivitet i parë do të jetë shkrimi dhe dorëzimi i letrës deri te komisari i sapozgjedhur për eurointegrime, të cilit do t’i drejtohemi me kërkesë për përshpejtimin e proceseve të eurointegrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon, në interes të mirëqenies dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve të këtyre shteteve”, tha Popovska./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne