Shkup, ligjëratë mbi misterin e piramidave

Në Shkup dr. Semir Osmanagiç, studiuesi nga Bosnjë e Hercegovina (BeH) ligjëroi në temën: “Misteret e piramidave”.

Gjatë kohës së ligjëratës Osmanagiç i prezantoi zbulimet e reja në lidhje me studimin dhe matjet energjetike të bëra në majën e piramidave dhe në labirintin e nëntokësor të tunelit.

Para fillimit të ligjëratës për të cilën kishte interes të madh nga ana e qytetarëve Osmanagiç në deklaratën për mediat tha se në Maqedoni nuk vjen për herë të parë dhe se bëhet fjalë për vend të mrekullueshëm me pasuri natyrore.

Sipas studiuesit Osmanagiç piramidat janë të pranishme në të gjitha kontinentet në botë dhe shumë studiues të pavarur e kanë dëshmuar atë duke shfrytëzuar metodat më të reja satelitore dhe gjeoradarët dhe instrumentet gjeoterminale.

Osmanagiç tha se piramidat në Visoko të Bosnjës, në komunën qendrore të BeH-së përbëhen nga pesë piramida: Piramidat e Diellit, Hënës, Dragoit, Tokës dhe Dashurisë dhe kanë rrjet të gjerë të tuneleve parahistorike nëntokësore.

Ai thekson se piramidat e Bosnjës janë piramidat e para në Evropë. Sipas fjalëve të tij ato janë piramidat më të mëdha në botë.

Osmanagiç tha se ndryshe nga pretendimet e egjiptologëve dhe arkeologëve se piramidat janë bërë si varreza, ose për sakrifikimin e armiqve, piramidat, thotë ai, janë makina të mëdha energjetike që janë ngritur mbi burimet e energjisë nëntokësore.

“Ne dëshmojmë se piramidat e Bosnjës janë më të mëdha dhe makina energjetike më të vjetra në botë”, tha Osmanagiç duke shtuar se piramida boshnjake është e lartë 120 metra.

Sipas tij, ende nuk është e njohur se kush saktësisht i ka ndërtuar këto piramida por kanë ardhur në njohuri se kur janë bërë.

“Ende nuk i kemi të gjitha elementet kush më saktë i ka bërë por e dimë se kur janë bërë. Sipas datimeve vjetërsia e piramidave në Bosnjë është 29 mijë e 200 vite”, tha Osmanagiç.

Ai thotë se është e mundur edhe në Maqedoni të ekzistojnë piramida por megjithatë ajo kërkon studime sistematike në të cilën duhet shumë të punohet.

Përndryshe, studiuesi Semir Osmanagiç i ka studiuar piramidat në Peru, Honduras, Meksikë, Salvador, Bolivi, Kinë, Mauricius, Guatemalë dhe në shumë shtete të tjera në botë.

Në vitin 2005 ai i zbuloi piramidat në Visoko të Bosnjës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne