Rajoni

TIKA do të restaurojë Teqenë Arabati Baba

Koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shkup, Teoman Tiryaki, tha se kanë nënshkruar protokoll me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI) dhe kanë arritur marrëveshje për realizimin e restaurimit të Teqesë Arabati Baba në Tetovë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Tiryaki u shpreh se që nga viti 2005 e deri më tani në Maqedoni ka zhvilluar aktivitete dhe projekte të shumta.
Krahas këtyre projekteve dhe aktiviteteve, Tiryaki theksoi se kanë realizuar edhe punime restaurimi për ruajtjen e monumenteve osmane.

Duke folur për një nga monumentet më të rëndësishme të Maqedonisë, Teqenë Arabati Baba, që ndodhet në qytetin e Tetovës në veriperëndim të vendit, Tiryaki vuri në dukje se monumenti në fjalë ka qenë në procedim gjyqësor që nga viti 2003 për shkak të mosmarrëveshjes pronësore midis BFI-së dhe Qendrës së Bektashinjve.

Tiyraki theksoi për shkak të mosmarrëveshjes punimet e restaurimit nuk kanë mundur të fillojnë, edhe pse ka pasur nevojë për një gjë të tillë. “Në vitin 2011, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, atëbotë kryeministër, vizitoi vendin dhe dha instruksionet për restaurimin e kësaj teqeje. Që nga ajo kohë u ndoq vazhdimi i procedimit gjyqësor dhe u prit përfundimi i tij. Javën e kaluar ky proces gjyqësor rezultoi në favor të BFI-së, me çka mori përfundoi mosmarrëveshja”, tha Tiryaki.

Në kuadër të kësaj, Tiryaki njoftoi se janë takuar me kryetarin e BFI-së, Sulejman Rexhepi, duke shtuar se mes dy institucioneve u nënshkrua protokoll bashkëpunimi, duke arritur marrëveshje që TIKA të realizojë restaurimin e këtij monumenti.

Tiryaki më tej tha se kanë nisur punimet për përgatitjen e një projekti në periudhën në vijim. “Pasi projekti ynë të përfundojë dhe, rrjedhimisht, pasi të fitojmë pëlqimin e institucioneve relevante të Maqedonisë, do të fillojnë edhe punimet e restaurimit, dhe në kohë të shkurtër në Teqenë Arabati Baba do të përfundojë në mënyrë të suksesshme restaurimi nga TIKA, me ç’rast do t’i dorëzohet BFI-së”, vlerësoi Tiryaki.

Ai u shpreh se objekti në fjalë është një nga monumentet më të rëndësishme në vend dhe se për këtë arsye i japin rëndësi, Tiryaki shtoi se ndihen të lumtur në emër të TIKA-s që do të bëjnë restaurimin e këtij monumenti.
Teqeja Arabati Baba

Teqeja Arabati Baba është themeluar në vitin 1538 nga vëllai i Sulltaneshës Mahidevran, bashkëshortja e Sulltan Sulejmanit, që njihet me emrat Sersem Ali Baba ose Server Ali Baba.

Para se të vendosej në Dergjahun e Haxhi Bektashit, Server Ali Baba ishte burrështetas që kishte arritur titullin e guvernatorit.

Teqeja emrin ka marrë nga Arabati Baba, i cili kaloi në vendin e Server Ali Babasë pasi ky i fundit ndërroi jetë.

Teqeja Arabati Baba është një kompleks tarikati që përbëhet nga struktura të ndryshme. Kompleksi i ndërtuar në një hapësirë prej 26.700 metrash katrorë, është i rrethuar me mur mbrojtës i lartë tre metra.

OPINIONE

INTERVISTA