Shkup, mbahet aktiviteti “Ejani të lexojmë libër”

Me bashkëpunim të Institutit Junus Emre në Shkup dhe Universitet Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup (IBU), sot në Kurshunli Han në Çarshinë e vjetër të Shkupit u organizua aktiviteti “Ejani të lexojmë libër”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar morën pjesë rektori i IBU-së, Prof. Dr. İsmail Kocayusufoğlu, zëvendësdrejtori i Institutit Junus Emre, Fuat Korkmaz, profesorë universitarë të IBU-së, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave në vend, përfaqësues të shtëpive botues, si dhe studentë dhe libërdashës të shumtë.

Në këtë aktivitet u theksua rëndësia e librit dhe të lexuarit, ndërsa, siç u tha, qëllimi i këtij aktiviteti është nxitja dhe vetëdijisimi për leximin e librave.

Duke folur në lidhje me këtë aktivitet të organizuar në objektin historik Kurshunli Han, Fuat Korkmaz u shpreh se kanë kaluar një ditë shumë të rëndësishme dhe të kuptimtë me realizimin e këtij aktiviteti.

Ai theksoi se aktiviteti është organizuar në bashkëpunim me IBU-në, ku, siç tha, është diplomuar edhe vetë. “Natyrisht, sot mes nesh kemi qendra të rëndësishme ndërkombëtare kulturore dhe shtëpi botuese që realizojnë botime në gjuhën turke, maqedonase dhe shqipe. Pjesëmarrja edhe e tyre në këtë projekt e bën këtë aktivitet edhe më të kuptimtë. Qëllimi i projektit është veçanërisht rritja e nivelit të leximit, zhvillimi i vetëdijes për leximin e librave dhe nxitja e leximit. Në këtë drejtim, besojmë që ky projekt që realizuam me IBU-në është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye jemi të lumtur”, vazhdoi më tej Korkmaz.

Nga ana tjetër, rektori i IBU-së Kocayusufoğlu tha se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e projektit me bartjen e tij në universitete nga Instituti Junus Emre, duke shtuar se për këtë arsye studentët, profesorët dhe të gjitha departamentet e universitetit janë angazhuar në projekt.

Duke folur për rëndësinë e leximit, Kocayusufoğlu tha: “Pa lexim, është e pamundur ecja e çdo gjëje, formimi i njeriut dhe zhvillimi i njerëzve të mirë. Natyrisht, leximi është aktivitet që zhvillohet nga mosha e vegjëlisë, fëmijërisë, dhe është një tipar me të cilën njeriu në universitet plotësisht përmbush identitetin e tij. Andaj, ne çdoherë do të jemi në anën e leximit dhe në kuadër të universitetit do të jemi brenda kësaj pune së bashku me studentët tanë.”

Kocayusufoğlu po ashtu theksoi se ndihen të kënaqur nga pjesëmarrja në këtë projekt.

Në aktivitet morën pjesë shtëpi botuese si Logos-A, Kultura, Divan, Konfuçi dhe Beta Pres, ndërsa në të u mbajt edhe programi dhjetëminutësh i leximit të librave. Gjatë kësaj kohe, pjesëmarrësit lexuan libra të prezantuar nga shtëpi botuese që morën pjesë në aktivitet, kurse po ashtu gjetën mundësi të shkurtër kohore të lexojnë libra në gjuhë të ndryshme.

Pas programit, pjesëmarrësit ndanë mes vete pjesë të librave të lexuara në gjuhët turke, shqipe, boshnjake, maqedonase dhe kineze.

Në pjesën e fundit të aktivitetit u interpretuan këngë dhe pjesë me kitarë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne