Shkup, organizohet marsh për ajër të pastër

Qindra qytetarë sonte në Shkup kanë marrë pjesë në “Marshin kundër ndotjes së ajrit”.

Të organizuar nga nxënësit e shkollave të mesme, shoqatat ekologjike dhe shoqatat tjera joqeveritare, protestuesit kërkuan nga institucionet përgjegjëse zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit në Shkup dhe në qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut.

Organizatorët e marshit kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin aktivitete konkrete me të cilat do të zgjidhet problemi i ajrit të ndotur.

Marshi filloi para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke vazhduar para Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Grupin e qytetarëve e udhëhiqte një grup i të rinjve me një pankartë të madhe në të cilën shkruhej “Nxënësit e shkollave të mesme duan të marrin frymë”.

“Duam të marrim frymë”, “Duam ajër të pastër”, “Mjaft më gënjeshtra”, “Nuk ka ajër, nuk ka qetësi”, ishin disa nga parrullat tjera.

“Shpresoj që të moshuarit do të kenë mjaftueshëm pjekuri që të mund të luftojnë me probleme të këtilla të cilat ata i krijojnë. Këto probleme që ata i krijojnë ua lënë gjeneratave të ardhshme që t’i zgjidhin. Ata gjeneratat e ardhshme jemi ne. Ne duhet të luftojmë me problemet e tyre”, tha nxënësja e shkollës së mesme Milla nga Shkupi, e cila mbajti fjalim para qeverisë.

Ndërkohë, në shenjë proteste kundër ajrit të ndotur, sot në disa shkolla të mesme në Shkup u bojkotua mësimi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut, paraprakisht u kishte bërë thirrje nxënësve që të mos braktisin mësimin dhe të ndërpresin bojkotimin.

Kujtojmë se para fillimit të marshit të parë i cili u mbajt në fund të muajit nëntor, përmes një deklarate me shkrim u prononcuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku thuhej se “qeveria e kupton plotësisht reagimin e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile të shkaktuar nga ndotja e ajrit dhe ndan këtë shqetësim”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne