Shkup, shqiptarët solidarizohen me Turqinë

Në organizim të Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), sot në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u mbajt “Mitingu i solidarizimit me Turqinë”.

Në evenimentin e organizuar para Xhamisë Murat Pasha të pranishëm ishin ambasdorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, politikanë turq nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke dhe vendase, si dhe shumë qytetarë, përfshirë turq, shqiptarë, boshnjakë, romë dhe të tjerë.

Mitingu u shoqërua me slogane dhe pankarta mbështetëse për Turqinë dhe presidentin e saj, Recep Tayyip Erdoğan.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kara tha se po përjeton një nga ditët më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut.

“Unë falënderoj MATUSITEB-in, zërin e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut i cili bën përpjekje që bashkatdhetarët tanë këtu të jetojnë në paqe dhe qetësi, ndërsa me këtë rast, dua të theksoj edhe një herë se vendi ynë krenohet me ju”, u shpreh Kara.

“Dashuria dhe solidariteti që tregoni për Turqinë na bënë më të fortë. Kjo dashuri dhe ky solidaritet bëhen më të fortë dhe më të kuptimtë nëse ju jeni një frymë, brenda një botëkuptimi të bashkimit”, tha Kara ndër të tjera në fjalën e saj.

Ndërkaq, kreu i MATUSITEB-it, Emin, tha se sot janë tubuar turq nga e gjithë Maqedonia e Veriut, shqiptarë, boshnjakë dhe romë, për të treguar se janë në solidaritet me Turqinë.

“Me këtë rast, ne ua dërgojmë përshëndetjet dhe dashurinë tonë të sinqertë nga zemra e Ballkanit, Shkupi, të gjithë vëllezërve tanë në Anadoll, me në krye liderin botëror, presidentin Recep Tayyip Erdoğan”, tha Emin.

Ai u shpreh se janë të vetëdijshëm se qëllimi i turqisë është të ruajë integritetin territorial, të eliminojë kërcënimin terrorist në kufijtë e saj dhe të çojë në histori çdo strukturë të paligjshme që synon ta shkatërrojë njerëzimin, ndërsa shtoi se Turqia përdor të drejtat që burojnë nga ligji ndërkombëtar dhe ka arritur suksese serioze në aspketin ushtarak dhe atë diplomatik.

Po ashtu, Emin tha se siguria e Turqisë do të thotë në të njëjtën kohë siguri edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin.

“Dua të theksoj se Republika e Turqisë është vend mik dhe vëlla i vendit tonë, Maqedonisë së Veriut…Ne si shtetas të Maqedonisë së Veriut, shprehemi fuqishëm se jemi me Turqinë në kohë të vështira dhe se nuk e kursejmë mbështetjen tonë”, tha Emin.

“Jo vetëm nga Turqia, por edhe ne si bashkatdhetarë dhe popuj vëllazërorë shprehemi të gatshëm për të vepruar dhe për të bërë atë që është e nevojshme, duke u nisur nga qasja se kjo nuk është vetëm çështje e Turqisë, ashtu siç kanë vepruar edhe gjyshërit tanë në Çanakkala, në Luftën për Pavarësi, në Jemen dhe në luftërat e tjera”, shtoi kreu i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin.

Në fund të mitingut u lexuan lutje për dëshmorët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne