Rajoni

Shkup, organizohet “Tubimi i Studentëve Ndërkombëtar”

Në Shkup në organizimin e Federatës së Shoqatës së Studentëve Ndërkombëtar (UDEF), në bashkëpunim me Shoqatën Vizioni-M dhe Shoqatën Köprü, u organizua “Tubimi i Studentëve Ndërkombëtar”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar në Kushumli An që gjendet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, morën pjesë një numër i madh i studentëve nga etnitete të ndryshme.

Përfaqësuesi i UDEF-it Lavdrim Berhami, në deklaratën e tij për gazetarët, tha se si UDEF janë duke e organizuar një pjesë të këtij aktiviteti i organizuar në mbarë botën dhe në hapësirën historike të Shkupit.

Ai tha se si Federatë e Shoqatëve të Studentëve Ndërkombëtar, janë duke u ofruar mundësi të ndryshme studentëve nga përafërsisht 200 shtete të ndryshme të botës që studiojnë në Turqi.

“Filluam të marrim frutat e kësaj peme, për të cilën filluam para disa viteve”, tha Berhami.

Ndërkohë përfaqësuesi i Vizioni-M nga Shkupi, Ismail Berisha, tha se nëpërmjet këtij aktiviteti studentët kanë mundësinë që të prezantojnë kuzhinat, traditat dhe kulturat e tyre.

Kryetari i Shoqatës Köprü, Hüsrev Emin, tha se aktiviteti këtë vit është duke u organizuar për herë të dytë në Maqedoni dhe se nëpërmjet këtij aktiviteti kanë për qëllim që ti promovojnë kulturat e studentëve të cilët studiojnë këtu.

Në kuadër të aktivitetit studentët shpërndanë ushqime të ndryshme të kulturave të tyre, ndërsa shfaqën edhe muzikë në shoqërim të gitarës dhe bakllamasë.