Shkupi dhe Tirana mirëpresin përpjekjet e KE-së për përmirësimin e procesit të pranimit

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, kanë përshëndetur përpjekjet e Komisionit Evropian (KE) për përmirësimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian (BE).

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut shpalosi qëndrimin e ministrit Dimitrov mbi metodologjinë e re për negociatat e pranimit në BE.

“Ne mirëpresim përpjekjet e Komisionit Evropian për përmirësimin e procesit të pranimit. Metodologjia e re kontribuon në dimensionin e forcuar politik, por po ashtu edhe për më shumë dinamizëm, parashikueshmëri dhe besueshmëri të procesit. Besojmë se kjo qasje e rinovuar do të rezultojë në një fitore të dyfishtë në javët e ardhshme, në hapjen e negociatave së bashku me një proces të përparuar”, tha Dimitrov.

Cakaj: Mirëpresim metodologjinë e re

Gjithashtu, mbi metodologjinë e re të përpiluar nga BE për vazhdimin e procesit të zgjerimit, ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, Sipas tij, platforma e re e Komisionit Evropian është po ashtu një investim afatgjatë gjeostrategjik në stabilitetin, zhvillimin e demokratizimin e Ballkanit Perëndimor në tërësi.

“Ne mirëpresim metodologjinë e re të përpiluar nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është e gatshme të vazhdojë reformat përmbajtësore e transformimin rrënjësor në përputhje me parimet e metodologjisë së re dhe pret çeljen e bisedimeve për anëtarësim brenda 2020”, shkruan në rrjetet sociale Cakaj.

Sipas tij, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian kërkon qartazi më shumë besueshmëri, parashikueshmëri, mbështetje më të madhe politike dhe zhvillim më dinamik.

Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhelyi, sot në Bruksel prezantoi metodologjinë e re të bisedimeve për vendet kandidate. Varhelyi tha se negociatat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndërtohen mbi themelet e besimit, forcimit të marrëdhënieve politike, dinamizimit dhe parashikueshmërisë.

KE-ja synon të fillojë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Zagreb më 6 dhe 7 maj. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne