Shoqata turke Deniz Feneri iftar në Shkup për jetimët

Shoqata turke Deniz Feneri në bashkëpunim me Sindikatën e Unionit të Pedagogëve të Turqisë (EĞİTİM-BİR-SEN) dhe Shoqatën Ensa nga Shkupi organizoi në Shkup sofër iftari me rastin e Ditës Botërore të Jetimëve që shënohet në ditën e 15-të të muajit Ramazan, raporton Anadolu Agency (AA).

Shoqata Deniz Feneri, EĞİTİM-BİR-SEN dhe Shoqata Ensar këtë vit për herë të tretë organizojnë iftare për jetimët dhe shpërndarjen e paketave ushqimore për jetimët në qytete të ndryshme të Maqedonisë me rastin e Ditës Botërore të Jetimëve.

Shoqata Deniz Feneri nga Turqia, e cila mbrëmë organizoi iftar për rreth 150 jetimë dhe familjet e tyre në qytetin e Kumanovës, sonte tuboi shumë jetimë dhe familjet e tyre në iftarin e organizuar në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup.

Krahas jetimëve dhe familjeve të tyre, në programin e iftarit të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, kryetari i Shoqatës Ensar Doc. Dr. Sulejman Baki, përfaqësuesi i sindikatës EĞİTİM-BİR-SEN Erol Ermiş, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Duke folur në emër të Shoqatës Deniz Feneri, përfaqësuesi i EĞİTİM-BİR-SEN Erol Ermiş tha se sofrat e këtilla të iftarit nuk i shtrojnë vetëm në Maqedoni, por në të gjitha anët e botës.

Ai rikujtoi se programi i iftarit organizohet në qytetet Shkup, Kumanovë dhe Shtip në Maqedoni.

“Dashtë Zoti, lidhja jonë me Maqedoninë nuk do të kufizohet vetëm me këtë Ramazan, por do të vazhdojmë edhe me kurbanët. Edhe në periudhën në vijim, ne do të vazhdojmë të jemi së bashku. Ne jemi edhe më të fuqishëm me lutjet tuaja”, theksoi Ermiş.

Ermiş falënderoi edhe Shoqatën Ensar nga Shkupi, me të cilën kanë bashkëpunuar në organizimin e këtij programi.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës Ensar, Doc. Dr. Sulejman Baki, rikujtoi se Organizata e Bashkëpunimit Islam në vitin 2013 kishte shpallur ditën e 15-të të Ramazanit si Ditë Botërore të Jetimëve.

Ai tha se iftarin me rastin e kësaj dite e organizojnë që nga viti 2015. “Me lejen e Zotit, nesër në mbrëmje do të jemi në Shtip së bashku me miqtë tanë. Edhe aty, në mënyrë të njëjtë do të organizohet iftar dhe shpërndarje e ndihmave ushqimore për rreth 100 jetimë dhe familjet e tyre. Me këtë program ne synojmë që të krijohet vetëdijësim dhe ndjeshmëri mes muslimanëve në botë ndaj jetimëve. Rrjedhimisht, sonte, jetimët janë mikpritësit këtu, kurse ne jemi mysafirët e tyre”, tha Baki.

Ai poashtu falënderoi organizatat El Hilal dhe Kalliri i Mirësisë për evidentimin e jetimëve dhe organizimin.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke falënderuar kontribuesit për organizimin e iftarit, uroi që edhe në të ardhmen të jenë së bashku me projekte të mira.

Pas iftarit, u bë shpërndarja e pakove ushqimore për 150 jetimë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne