Bota

Shpallet fajtor për krime lufte, pi helm para gjykatësve në Hagë dhe vdes

Një seancë dëgjimore për krime lufte në Hagë është pezulluar pasi një nga akuzuarit ka pirë helm pas dëgjimit të aktgjykimit.

Slobodan Pralak ishte një nga gjashtë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë kroatë të Bosnjës përpara gjykatës.

Ish-komandanti i forcave kroate të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95, ka marrë pijen dhe ka bërtitur “nuk jam kriminel”, vetëm pak kohë pasi Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi konfirmoi dënimin e tij me 20 vjet burgim.

Kur dëgjoi se dënimi i tij ishte pranuar, ai i tha gjyqtarit: “Kam pirë helm”.

Praljak u ngrit në  këmbë, ngriti dorën dhe piu helmin, raporton BBC.   Gjykatësi menjëherë urdhëroi që perdet të uleshin dhe procedurat të pezulloheshin.

Gjykatësi bëri thirrje që gota e përdorur nga i akuzuari të ruhet për të kryer analiza të mëtejshme, ndërkohë që persona të pranishëm në këtë seancë kanë kërkuar menjëherë ndërhyrjen e ambulancës.

Pak orë më vonë televizioni kroat informoi se Praljak kishte vdekur.

Javën e kaluar, Gjykata e Hagës dënoi me burgim të përjetshëm Ratko Mlladiç – ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës.