Shpërndahet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin për t’u shpërndarë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për më 12 prill.

Nga gjithsej 120 deputetë të parlamentit, të pranishëm gjatë seancës së sotme ishin 117 deputetë, prej të cilëve 108 votuan në favor, ndërsa nuk kishte të përmbajtur dhe kundër.

Propozim-vendimi për shpërndarjen e kuvendit u soll nga kryetari i këtij institucioni, Talat Xhaferi. Në fjalën e tij, ai tha se pas konsultimit me Komisionin Shtetëror Zgjedhor më 10 shkurt, sot është afati i fundit për shpërndarjen e parlamentit.

Koordinatori i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në pushtet, Jovan Mitrevski, tha se përbërja aktuale parlamentare ka përjetuar kriza gjatë tri viteve të fundit, por që kjo nuk i ka penguar ata që të marrin vendime historikisht të rëndësishme që përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Ndërkaq, koordinatori i VMRO-DPMNE-së opozitare, Nikolla Micevski, nga foltorja e parlamentit tha se gjatë tri viteve e gjysmë të kaluara përbërja parlamentare ka kaluar në një krizë të rëndë politike dhe akuzoi shumicën parlamentare për “punë joprofesionale”.

Para miratimit të vendimit për shpërndarjen e kuvendit, me një shumicë prej dy të tretave, konkretisht me 80 vota pro, u miratua edhe Ligji për Prokurorinë Publike dhe Ligji për Mbrojtjen.

Kujtojmë që pasi Këshilli Evropian nuk vendosi të caktojë një datë për Maqedoninë e Veriut për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian pas samitit të tetorit si rezultat i kundërshtimit të Francës, presidenti Stevo Pendarovski mblodhi në një takim liderët e partive politike parlamentare, të cilët ranë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne