Shpërthen në flakë anija turistike pasi u ankorua në Karaburun nga moti i keq, 5 persona hidhen në det për të shpëtuar

Një anije turistike e quajtur ‘Aquamarine’ me 5 persona në bord ka shpërthyer në flakë në Karaburun. Anija turistike e linjës Karaburun-Sazan ka marrë flakë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm ndërsa shkaku mendohet të jetë një shkëndijë elektrike në motorin e anijes.

Ndërsa të kontaktuar nga Report Tv, shoqëria ‘Aquamarine’ që ka në pronësi anijen turistike që është djegur ka deklarua se ishte e certifikuar ndërsa zjarri ka ardhur nga motori i saj. Së bashku me anijen janë djegur edhe një gomone 7 metra e gjatë si dhe një motor uji ‘Jet Ski’.

Kjo anije arrin të mbajë në bord më shumë se 100 turistë, por në momentin e rënies së zjarrit kanë qenë vetëm 5 punonjësit e kësaj anije, pasi në të kundërt pasojat mund të ishin më të mëdha. Ditën e djeshme nuk është dhënë leje për anijet që të dalin në det për shkak të motit. Deti i trazuar dhe dallgët e mëdha kanë bërë që anija ‘Aquamarine’ të ankorohej në Karaburun që ditën e djeshme.

Sapo kanë ndjerë zjarrin personat që kanë qenë në bordin e kësaj anije janë hedhur në det për të shpëtuar nga flakët. Ata kanë mundur të dalin me not në breg dhe nuk raportohet të kenë marrë lëndime.

Anija turistike ishte e përbërë me material druri, ndërsa shërbente si bar dhe si kuzhinë çka ka bërë që flakët të shpërndahen me shpejtësi në të gjithë trupin e saj.

Kjo anije operon prej kohësh në brigjet e Vlorës dhe bën çdo ditë linjën shëtitëse të turistëve Karaburun- Ishulli i Sazanit. Flakët tashmë janë shuar plotësisht ndërsa nga anija ka mbetur thuajse asgjë./shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne