Shpërthen sërish vullkani në malin Dukono të Indonezisë duke nxjerrë hi në lartësi prej 1.100 metrash

Në mali Dukono të Indonezisë lindore sërish sot shpërtheu vullkani duke lëshuar hi në qiell që u ngrit 1.100 metra mbi majën e tij, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Antara. Një zyrtar nga vëzhgimi i vullkanit Dukono nën Agjencinë Gjeologjike të Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Minerale (ESDM), Bambang Sugiono tha se shpërthimi u regjistrua herët në mëngjes.

“Kolona e hirit arriti rreth 1.100 metra mbi majë ose 2.187 metra mbi nivelin e detit. Hiri i trashë gri në të zi u pa duke lëvizur drejt lindjes. Shpërthimi ende është duke vazhduar”, tha Sugiono. Një shpërthim i ngjashëm, me një lartësi kolone hiri prej 1.1 kilometrash, ishte regjistruar mëngjesin e 24 qershorit.

Mali Dukono në ishullin Halmahera është ndër vullkanet më aktivë të Indonezisë. Ka shpërthyer vazhdimisht që nga viti 1933. Indonezia, pjesë e “Unazës së Zjarrtë të Paqësorit”, është një nga vendet më aktive sizmike në botë, me 130 vullkane aktive.

Të enjten, Indonezia e rriti nivelin e alarmit për vullkanin jugor “Ile Lewotolok” nga 2 në 3. “Ili Lewotolok” ka përjetuar rritje të ndjeshme të aktivitetit që nga 27 qershori./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne