Shpërthimi në burgun e Fushë-Krujës, tritoli ishte krijuar në mënyrë artizanale

Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e djeshme në burgun e Fushë-Krujës. Lënda plasëse e hedhur në afërsi të kabinave elektrike dhe gjeneratorit ka qenë artizanale.

Dyshohet se sulmi me tritol pranë gjeneratorit që ndodhej në rrethimin e jashtëm të burgut ka qenë tentativë për rrëmujë ose arratisje. Raportohet se grupi hetimor po këqyr kamerat e sigurisë për të kuptuar se si ka përfunduar tritoli me nitrat brenda perimetrit të burgut. Nga shpërthimi i tritolit me nitrat nuk ka pasur persona të lënduar.

Njoftim:

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.

Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.

Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne