Një video e publikuar në llogarinë e kryeministrit grek në Facebook tregon momentin kur Alexis Tsipras përqafon 3 emigrantë, një shqiptar dhe dy egjiptianë që punojnë si peshkatarë në Nea Makri, dhe i falënderon për ndihmën që ata dhanë bashkë me peshkatarë të tjerë të kësaj zone, duke shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish ditën e zjarreve vrastare në zonën e Matit.
“Peshkatarët e Nea Makrit, vendas dhe emigrantë, bënë një betejë heroike gjatë tragjedisë, duke shpëtuar jetë. Shteti u njeh atyre këtë sakrificë. Ne i falënderojmë ata”, shkruan kryeministri Tsipras edhe në llogarinë e tij në Twitter.
Në shumë medie greke, vendimi i Tsiprasit është pritur me pozitivitet, ndërsa është krahasuar edhe me aktin e ngjashëm të presdientit francez Macron, që i dha nënshtetësinë franceze disa muaj më parë një 22-vjeçari nga Mali, i cili ngjiti pas asnjë lloj mbrojtjeje 5 kate të një ndërtese duke u kacavjerrë nëpër ballkone, për t’i shpëtuar jetën një fëmije që ishte duke rënë.
Burimi: Top Channel