Shqetësimet nga BREXIT

Qytetarët anglezë druhen se dalja e vendit të tyre pa marrëveshje me Bashkimin Europian më 31 tetor do të shoqërohet me një krizë ekonomike, ndaj ata po blejnë miliarda euro rezerva ushqimore. SHBA-ja ndërkohë, nëpërmjet zyrtarëve që ndodhen për vizitë në vend, thotë se e përkrah plotësisht qeverinë britanike në nismën për Brexit.

Britanikët kanë shpenzuar mbi 4 miliardë euro në rezerva ushqimore ndërsa përgatiten për të dalë nga Bashkimi Europian. Sondazhet tregojnë se rreth 800 mijë persona kanë blerë secili më shumë se 1 mijë euro ushqime, pije dhe medikamente shtesë pasi janë të pasigurt nga rrethanat ekonomike që mund të krijojë Brexit më 31 tetor. Ndërkohë, shpenzimet mesatare për 1 në 5 qytetarë anglezë shkojnë deri në 400 euro. Mendohet se shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar pa marrëveshje paraprake politike dhe tregtare me Bashkimin Europian do të rrezikojë më së pari kanalet e furnizimit me ushqime, pije dhe medikamente. Pasojat e kësaj ndarjeje u paralajmëruan edhe në tremujorin e dytë, kur të dhënat e fundit treguan se ekonomia e vendit u ngadalësua me 0,2 për qind për herë të parë nga viti 2012. Por nga divorci i Britanisë me BE-në po kërkojnë të përfitojnë Shtetet e Bashkuara. Këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, John Bolton, u takua të hënën me kryeministrin anglez Boris Johnson në vazhdën e një vizite dyditore. Bolton tha se SHBA-ja e mbështet plotësisht qeverinë britanike në nismën e saj për Brexit, qoftë edhe pa marrëveshje. Ai tha se Britania ka për të dalë më mirë nga largimi prej sistemit rregullator europian që ai e cilësoi të kohës “bizantine”, dhe së bashku me SHBA-në kanë potencialin të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe ekonomike./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne