Shqipëri – INSTAT: 66% e shkëmbimeve tregtare realizohen me vendet e BE-së

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 66,0% të gjithë tregtisë së Shqipërisë. Sipas raportit të tregtisë së jashtme, publikuar nga INSTAT, në nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 60,3% të importeve gjithsej.

Referuar të dhënave, në njëmbëdhjetë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 251 miliardë lekë, duke u rritur me 13,2%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 565 miliardë lekë, duke u rritur me 8%, krahasuar me një vit më parë.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (37,1%), Kina (7,1%), Gjermania (6,5%) dhe Turqia (6,2%).

Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin 2017, me vendet e BE zënë 66,3% të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,0% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,3%), Greqia (6,9%), Gjermania (6,9%) dhe Kina (6,4%). /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne