Shqipëri, niset grupi i parë i besimtarëve për Haxhin

Grupi i parë i besimtarëve muslimanë nga Shqipëria është nisur për në vendet e shenjta për të kryer njërin nga pesë kushtet e fesë Islame, Haxhin..

Dhjetëra haxhinj mes emocioneve janë përcjellë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga familjarët e tyre, por edhe nga besimtarë të shumtë.

Në grupin e parë kanë udhëtuar rreth 200 besimtarë, të cilët fillimisht do të ndalojnë në Xhide të Arabisë Saudite, ndërsa grupi i dytë i besimtarëve do të niset për në tokat e shenjta më 1 gusht.

Dritan Dorzi, imam në Xhaminë e Pezës në Tiranë, për AA tha se është hera e parë që ai shkon në Haxh. “Allahu e mundësoi, kemi vite që bëjmë lutje dhe përsëri do të bëjmë lutje qe po shkojmë drejt Mekës. Allahu shpresoj të na lehtësojë udhëtimin. Janë disa ndjenja që nuk tregohen me fjalë, por përjetohen”, u shpreh Dorzi

Edhe për Blerim Voglin nga qyteti i Krujës, është herë e parë që udhëton për të kryer Haxhin. “Jam shumë i emocionuar dhe është një emocion i papërshkrueshëm. Allahu na mundësoftë gjithë muslimanëve vizitën në Qaben e shenjtë, sa më shpesh të jetë e mundur”, shprehet Vogli.

Edhe këtë vit bashkë me besimtarët muslimanë nga Shqipëria, udhëtojnë për në tokat e shenjta edhe besimtarët nga Mali i Zi, ndërsa në total janë 400.

Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët nga Shqipëria për vitin 2019 është 3.700 euro. Kujtojmë se vitin e kaluar ishin rreth 460 besimtarë muslimanë shqiptarë të cilët udhëtuan drejt tokave të shenjta për t’u bashkuar me miliona besimtarë nga e gjithë bota për të kryer ritualin e Haxhit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne